Sinoptikanët thonë se rrebeshe shiu dhe stuhi-afatshkurtra ere do të përfshijnë vendin tonë në orët e pasdites dhe deri mëngjesin e së martës.
Kjo situatë e motit, sipas Meteoalb, mbetet prezent deri në mesditën e nesërme kur pritet dobësim i ndjeshëm i intensitetit të shirave.
Era do të jetë e fortë me shpejtësi mbi 65 km/h duke sjellë probleme në brigjet detare.
Njoftimi sipas SHMU
Dita e hene dhe ajo e Martë do të jenë me mot të vranët në të gjithë territorin.
Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet mesatar deri edhe të lartë në formën e stuhive dhe rrebesheve. Kjo situatë më tepër do të jetë e theksuar përgjatë vijës bregdetare dhe zonat e ultësirës perëndimore ndërsa relievet malore do të preken më pak.
Dita e Mërkurë do të ketë përmirësim me mot me alternime kthjellimesh dhe vranësirash dhe reshje shiu të dobta dhe lokale. Dita e Enjte pritet përsëri përkeqësim i motit me reshje shiu me intensitet mesatar deri dhe të lartë në formë stuhish dhe rrebeshesh në zonën e qendrës dhe atë të veriut ndërsa zona e jugut do të preket nga reshje shiu me intensitet të ulët. Java mbyllet me ditën e Premte me mot me alternime vranësirash e kthjellimesh dhe reshje shiu të dobta dhe lokale deri në orët e mesditës.
Temperaturat në vlerat minimale pritet të kapin vlerat nga 9ºC deri në 17ºC ndërsa ato maksimale 17ºC deri në 29ºC. Për rajone/zona të veçanta shihni edhe tabelën bashkëngjitur.