MENU
klinika

Nga VOA

Jozefina Topalli i kthehet politikës? Flet për krijimin e “lëvizjes së re”

25.09.2019 - 19:21

Ish kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë dhe Nënkryetare e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, tha sot se, pas tre dekadave politika është në krizë dhe se vendi është pa përfaqësim. Duke folur para studentëve të Universitetit të Shkodrës, ku ju dha Çmimi i Karierës, zonja Topalli u bëri thirrje të rinjve për “Një Lëvizje të Re”.

“Pas 3 dekadave politika është në krize; vendi është pa përfaqesim. Ekonomia nuk ec. Nuk ka as qeveri dhe as opozitë. Ata kanë deformuar demokracinë e brishtë. Ata, ose bëjnë pazare, ose bëjnë shantazhe ndaj njëri-tjetrit. Është më mirë të ikin “4 shahistat” e të rrijnë shqiptarët. Nëse forcat e vjetra nuk reformohen, ka vetëm një zgjidhje: “Një Lëvizje e Re”. Lëvizje për ndryshim. Dhe mendimi im është tek të rinjtë e të rejat, dhe ju që keni gjithmonë zemrën e re”.

Zonja Topalli u bëri thirrje të rinjve që të bëhen autorë të fatit të tyre dhe t’i largohen dëshpërimit.

“Çfarë e bën këtë vend të veçantë jeni Ju. Mos e harroni këtë. Ata që janë në krye të partive kanë frikë nga ju. Më besoni mua. Mos lejoni më që t iu heqin fëmijët nga shtëpia e t’iua hedhin në emigracion. Mjegulla nuk mundet që të na errësojë përjetë shikimin. Ndoshta ndonjë nga të rinjtë këtu do fillojë lëvizjen për ndryshim, e ndoshta nesër do jetë në Parlament për t’i kthyer vendit e Kuvendit shpresën e dinjitetin. Ndoshta nuk do jetë në Kuvend, por do jetë në Bashkinë e tij për t’i dhënë shpresë qytetit. Do jetë në punën e tij për t ‘i dhënë jetë e perspektivë familjes. E si ju në Shqipëri ka me mijëra.

Përfytyrojeni kur të bashkohemi të gjithë bashkë.

Që vendit t’i kthehet shpresa, të rinjve mundësia për punësim, të moshuarve një pension më dinjitoz, shëndetit t’i jepet kujdesi e shërbimi i duhur, e në fëtyrat e njerëzve të kthehet buzeqeshja. Mjaft me dëshpërim. Bëhuni autorë të fatit tuaj”.