Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën me dekretin për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit.
Sipas draftit, Komisioni i Venecias ka evidentuar shkeljen e Kushtetutës nga Ilir Meta. Në draft theksohet qartë dhe prerë se Presidenti nuk ka kompetencë për anulimin e zgjedhjeve.
“Presidenti shkeli Kushtetutën kur anuloi zgjedhjet dhe vendosi shtyrjen e tyre pa pasur një kompetencë të tillë në Kushtetutë e në ligj. Zgjedhjet lokale mund të anulohen vetëm në situata emergjente, por edhe në këtë rast duhet vepruar në përputhje me parashikimet kushtetuese, dispozitat e ligjit ose në baze të zgjidhjeve ligjore ad-hoc, (rregulla te vendosura me ligj, të përkohshme).
Presidenti nuk e ka këtë pushtet. Anulimi i zgjedhjeve dhe me tej shtyrja e tyre cënoi të drejtën e shtetasve për të zgjedhur. Presidenti ka tejkaluar kompetencen e tij kushtetuese duke anulluar dhe shtyre zgjedhjet lokale tej mandatit elektoral pa u bazuar ne baze ligjore te posaçme” thuhet në draft.
Por cili është opinioni i Komisionit të Venecias për Komisionin Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës?
“Shkeljet mund te mos jene mjaftueshem te natyres së rëndë, por edhe nëse janë të tilla, nisur nga kompetencat që ka seanca plenare e Kuvendit për të respektuar qëllimet kushtetuese, si kontrollin dhe balancën, është ai organi që i merr në konsideratë të gjithë sa më sipër për të vendosur shkarkimin e Presidentit” thotë komisioni i Venecias.
Komisioni i Venecias gjykon se bojkoti i opozitës në zgjedhjet lokale të 30 Qershorit nuk mund të ndalojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. “Përndryshe, këto parti do të fitonin mundësinë/avantazhin/levën të pengonin cdo proces zgjedhor”, thuhet në vijim në draft.
Pas draftit të Venecias ka ardhur dhe reagimi i zëdhënësit të Presidentit, Tedi Blushi.
Ai shkruan se Meta nuk ka shkelur aspak Kushtetutën dhe se shqiptarët, sipas tij, duhet të dëgjojnë Bundestagun.
“Zero shkelje të kushtetutës!
HARROJINI TRAKTET e porositura ngado që të vijnë!
E dinë të gjithë shqiptarët dhe ndërkombëtarët me integritet se Presidenti i Republikës ka MBROJTUR Kushtetutën, rendin demokratik dhe pluralizmin politik, dhe ka SHMANGUR gjakderdhjen dhe Rajshtagun!
DËGJONI Bundestagun!
ULUNI URGJENT dhe ZGJIDHNI krizën e rëndë politike para se t’i shtoni kushte të tjera Shqipërisë!”, shkruan ai.