Senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Ron Johnson, thanë të premten në Beograd se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë sakrifica për të siguruar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Të dy senatorët qëndruan në Beograd, dy ditë pasi kishin vizituar Prishtinën për të dërguar mesazhin se Shtetet e Bashkuara mbështesin rifillimin e bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet palëve.
Senatorët amerikanë: Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë zgjedhje të vështira
“Në duam të bëjmë gjithçka që është e mundur për të mbështetur të dy vendet në bisedimet e tyre në të cilat duhet të marrin dhe të japin”, tha senatori Johnosn duke nënvizuar se kur të arrihet marrëveshja përfitimet për të dyja palët do të jenë shumë të mira.
“Duhen sakrifica dhe kompromise në të dyja anët. Shpresojmë që pas zgjedhjeve në Kosovë, do të ndërmerren hapat e domosdoshëm për të rifilluar bisedimet”, tha ndërkaq senatori Murphy, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë palët qoftë me këshilla gjatë procesit, qoftë duke i mbështetur ato pas aritjes së marrëveshjes. Ai tha se palët duhet të kenë hapësirën e mjaftueshme për të arritur një marrëveshje të pranueshme për to.
Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit të kaluar kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.
Presidenti serb, ALeksandër Vuçiç, tha se Beogradi pret heqjen e taksës dhe këkron një marrëveshje kompromisi.
“Nëse nuk ka një zgjidhje kompromisi, ne nuk mund ta njohim pavarësinë e Kosovës. Dhe, këtu nuk ka filozofi të madhe”, tha ai.
Vizita e dy senatorëve në Ballkan ndodhë pak ditë pasi që sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo emëroi zëvendës ndihmësin e tij Matthew Palmer si Përfaqësuesin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Emërimi i tij shihet si një dëshmi e përfshirjes më të madhe të Shteteve të Bashkuara në procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Vazhdimi i këtyre bisedimeve mund të pritet pas zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, që mbahen më 6 tetor. Diplomatët shpresojnë që një qeveri e re të formohet shpejt pas këtyre zgjedhjeve dhe të rihapin bisedimet para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm. /VOA