MENU
klinika

Nga Deutsche Welle

Nancy Pelosi: E detyruar të merret me procedurën e shkarkimit?

29.09.2019 - 13:52

Nancy Pelosi nuk la asnjë dyshim, se bëhet fjalë për një moment historik, kur të martën në Kapitol doli para kamerave. Nuk bëhet fjalë për asgjë më pak, se „ruajtjen e Republikës”, tha ajo, duke përdorur po atë shprehje si dikur Benjamin Franklin, një nga themeluesit e Shteteve të Bashkuara. „Veprimet e presidentit kanë shkelur rëndë kushtetutën”, deklaroi liderja demokrate në kongresin amerikan. Trump në kuadër të aferës së Ukrainës ka tradhtuar betimin që ka bërë për postin, sigurinë kombëtare dhe integritetin e zgjedhjeve të SHBA. „Askush nuk qëndron mbi ligjin”, tha Pelosi. Prandaj demokratët do të verifikojnë me hetime paraprake kushtet për një procedurë shkarkimi të Donald Trump.

Në sfond është dyshimi, se Trump në një telefonatë me presidentin ukrainas, Volodymyr Selenskyj i ka lidhur fondet e ndihmave me furnizimin me material rëndues për djalin e kandidatit demokrat për garën presidenciale, Joe Biden. Në një ankesë të publikuar të enjten nga një punonjës i shërbimeve sekrete lexohen të dhëna të tjera domethënëse. Sipas letrës, punonjës të Shtëpisë së Bardhë janë përpjekur madje ta mbajnë të fshehtë transkriptimin e bisedës. Në këtë raport luan rol kryesor, avokati i Trumpit, Rudi Giuliani. Edhe ministri i Drejtësisë, William Barr duket të jetë i përfshirë në keqpërdorimin e postit.

Jo aksioniste, më shumë një Nancy Pelosi e menduar

Të gjitha këto mjaftojnë për Nancy Pelosi, për të bërë përgatitjet për nisjen e një impeachment- procedurë të mundshme të shkarkimit të presidentit. „Më në fund” kanë menduar ndoshta disa kolegë të partisë. Sepse gruaja më e fuqishme në Uashington deri më tani i ka parë me skepticizëm kërkesat nga partia e saj për një hetim të tillë.

nancy pelosi-konica.al

Në një kohë që disa demokratë para sfondit të raportit të hetuesit të posaçëm, Robert Mueller, ku flitej për pengim të mundshëm të drejtësisë nga ana e Trumpit, kërkonin një procedurë shkarkimi të Trumpit, Pelosi tregonte rreziqet e një ndërmarrjeje të tillë – duke pasur parasysh zgjedhjet presidenciale 2020. Ajo ishte e shqetësuar për sondazhet, ku vetëm një pakicë e votuesve e mbështeste një procedurë shkarkimi kundër Donald Trumpit. Nancy Pelosi e kujton shumë mirë procedurën e dështuar për shkarkimin e Bill Clintonit, nga e cila ai doli më i fortë, siç shkroi gazetari David Remnick për revistën „New Yorker”.

“Mendoj, ajo është akoma skeptike”

Pelosi e argumentoi ndryshimin e kursit kundrejt Remnick: „Njerëzit thonë, ke ndryshuar mendim. Nuk kam ndryshuar mendim. Faktet kanë ndyshuar situatën.” Ndoshta edhe ndryshimi i atmosferës brenda partisë mund ta ketë bindur Pelosin. Këtë javë 7 deputetë demokratë, që e kanë refuzuar deri më tani nisjen e hetimeve paraprake për procedurën së shkarkimit janë shprehur për të ndërmarrë hapat e duhur, nëse ka për këtë një bazë ligjore. John Lewis kërkoi në kongres hetime paraprake.

Sascha Lohmann, ekspert në Fondacionin gjerman për Shkencën dhe Politikën thotë, se „ka një kaskadë të anëtarëve të njohur të grupit parlamentar demokrat, që janë shprehur për këtë, dhe ajo e pa veten të detyruar ta bëjë këtë hap, por mendoj, se vetë është akoma skeptike”.Nancy Pelosi gjithmonë ka dalë si një kundërshtare e patrembur e presidentit Trump. Ajo di ta përdorë pushtetin si zëdhënëse e kongresit. Në janar Pelosi ia doli të detyrojë Trumpin për një zgjidhje të përkohshme në konfliktin buxhetor të qeverisë, pasi shtyu një fjalim për gjendjen e kombit.

Pelosi shkroi histori, kur në vitin 2007-2011 si gruaja e parë amerikane u ngjit në dhomën e përfaqësuesve. Në vitin 2019 ajo ia doli ta rimarrë këtë post. Karriera politike e 79 vjeçares duket si e paracaktuar. Ajo vjen nga një familje mjaft e angazhuar politikisht në Baltimore. Babai dhe vëllai kanë qenë kryetarë bashkie. Por karriera e saj politike ishte e vështirë. Pelosi u zhvendos me bashkëshortin në Kaliforni, rriti pesë fëmijë dhe vetëm pas moshës 40 vjeç u bë politikane me kohë të plotë, kur të gjithë fëmijët u larguan nga streha familjare. Në vitin 1987 ajo kandidoi për një post në një zonë zgjedhore, që tradicionalisht fitohej nga demokratët dhe ia doli. Që atëherë Pelosi nuk e ka humbur më këtë mandat. Në të njëjtën kohë në kongres ajo mori poste gjithnjë e më të larta në kongresin amerikan. Një nga sukseset e saj ka qenë bashkëpunimi me presidentin republikan, George W. Bush në kohën e krizës financiare në vitin 2008. Po ashtu sipas ekspertëve ajo luajti një rol të rëndësishëm në aktin historik – “Affordable Care Act” –sigurimin shëndetësor të futur nga presidenti Barack Obama.

Brenda stuhisë

Vendimi për të mbështetur në radhët e veta hetimet paraprake për një procedurë për shkarkimin e presidentit është një hap tjetër i rëndësishëm i Nancy Pelosit. Por rreziku që një procedurë e tillë të rrëzohet për shkak të rezistencës së republikanëve në senat është i madh. Asnjëherë nuk është rrëzuar një president për shkak të procedurës „impeachment”.

Pelosi tha për New Yorker”, se nuk ka rëndësi, nëse një skenar i tillë edhe mund t’i dëmtojë demokratët. „E kemi trajtuar këtë gjë me kujdesin më të madh. Nuk është ashtu, se jemi sulur tek një gjë e tillë.” Ai (Trump) na ka sjellë në këtë situatë. Ai nuk na ka lënë asnjë mundësi tjetër.”

Nëse kjo nismë në fund e dëmton apo e forcon vetë Pelosin, nuk dihet. Eskperti Lohmann parashikon që për demokraten po vijnë kohë të vështira. „Ajo natyrisht do të llogarisë me atë që do të bëhet një procedurë shumë e pistë.” Dhe është e hera e parë, që “një procedurë me kaq pasoja, që i trondit edhe themelet e kësaj demokracie, do të zhvillohet në kushtet e mediave sociale.” Ajo do të jetë tani brenda stuhisë, po të kemi parasysh këtu sulmet e Trumpit dhe disa republikanëve”, thotë eksperti Sascha Lohmann.

Helena Kaschel/ Deutsche Welle

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Demokratët kundërshtojnë presidentin

“Trump po abuzon me pushtetin”