MENU
klinika

"Realiteti i tepërt"

Një hibrid midis Prustit dhe Kafkës

24.09.2019 - 14:23

      Bruno Schulz, shkrimtari, karikaturisti, grafisti dhe kritiku letrar polak, vdiq në mënyrë tragjike gati shtatë dekada më parë, por padyshim që atij i është dhënë një jetë e dytë përmes interpretimeve të panumërta ndërkombëtare. Dikur Isaac Bashevis Singer e krahasoi Schulzin me një hibrid midis Prustit dhe Kafkës. Në ditët e sotme ai qëndron si një figurë artistike veçanërisht e rrallë, duke frymëzuar shkrimtarë si Danilo Kish, Cynthia Ozick dhe Jonathan Safran Foer, por edhe dhe kineastë si vëllezërit Quay dhe Guy Maddin etj. Duket qartë se arti i Schulzit do të jetojë përmes qindra adaptimeve në film apo në letër./Konica.al

*

Vuajmë nga realiteti i tepërt. Mendojmë se realiteti është thjesht ai që na stërvit iluzioni optik, realitet i cili hyn përmes dritares, përmes plasaritjeve të derës, duke na mbytur. Çfarë keqardhjeje! Shkrimtarët mendojnë se është e mjaftueshme të shkruajmë bukë për të evokuar bukën: letërsia e magjishme na bën të nuhasim atë, entitetin aromatik, zhurmën e kores. Difekti i shikimit na censuron në të dukshme, në kohën kur arti i fjalës është kënaqësi, tallje për të vërtetën.

*

Të flasësh për Bruno Schulzin duhet t’ia nisësh nga fundi. Jemi në Drohobyç, 19 nëntor 1942, Bruno është 50-vjeç, disa vite më parë, në 1937, ai botoi “Sanatoriumi nën shenjën e klepsidrës”, me ilustrime të tijat, një shkrimtar i njohur gradualisht me kalimin e viteve (më 1938 ai u shpërblye nga Akademia Polake e Letërsisë). Bruno përparon. Adhuon Iren Nemirovskin (“ky libër i shkëlqyer”, gjykon “Karrierën”) dhe Ivo Andriçin: “ky poet-shkrimtar i jashtëzakonshëm”. Një burrë i qëndron pranë. Bruno ka blerë bukë. Burri e qëllon në kokë: ai është një oficer gjerman i Gestapos. E gjuan ashtu, pa e paralajmëruar, pa thënë asnjë fjalë, si t’i qëllonte një objekti të pajetë. Ai vret një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit, thjesht për argëtim. Asgjë nuk dihet për trupin e Bruno Schulzit, flakur në një varrezë masive. Vrarë për zbavitje, me gjakftohtësi mizore, në rrugë, me bukë në dorë. Trupi u zhduk në zvetënimin e historisë. Në këtë shkretim, zhdukja e shkrimtarit, ekziston, në retrospektivë, domethënia e të shkruarit, i shkëlqyer mbi asgjënë.

 

 

 

 

 

 

Në një tekst të vitit 1936, Schulz kupton rendin që rregullon përvuajtjen e ditëve. “Çfarë është historia? Kush ka depërtuar në sekretin e hireve të tua, në enigmën e favoreve të tua? Shpërfillim misterin që shtrihet midis nesh dhe heroit, shpërfillim paktet e fshehta që ata kanë midis tyre. Mos është vallë sekreti mes vajzës dhe të përzgjedhurit të saj?…”.

Jeta e autorit hebre Bruno Schulz ishte, me masa këmbësorësh, e vogël. Ajo përfundoi para kohe në 1942, kur ai u vra nga një oficer i Gestapo dhe ishte pothuajse plotësisht e kufizuar në vendlindjen e tij, Drohobycz. Vetë Schulz ishte i shkurtër dhe i heshtur. Në fotografi, ai shkëlqen. “Ai ishte trupvogël, i çuditshëm, fantastik, i përqëndruar, intensiv, gati i etur”, – kujton miku i tij, romancieri polak Witold Gombrowicz.

Në mesin e viteve ’30-të, Bruno Schulz u pyet nga një nxënës në shkollën fillore, ku jepte mësim: “Pse [ju] pikturoni gjëra ndryshe nga mënyra sesi janë me të vërtetë?”. Schulz, ende i panjohur për prozën e tij surreale, u përgjigj: “Ne mund ta kthejmë ditën në natë dhe natën në ditë. Ne mund t’i mbulojmë majat e maleve me dëborë me gjethnajë farfuritëse. Kjo është liria jonë, e artistit, e tillë është edhe e vërteta artistike, të cilën mund ta demonstrojmë përmes veprave tona”./Konica.al

 

 

 

 

 

Schulz, i cili shkruajti në gjuhën polake, ishte autori i tregimeve fantastike që mund të lexohen si meditime në trillimet dhe imagjinaren e modernitetit, si në “Rruga e krokodilëve”. “Rruga” ishte zemra e një lagje tregtare të banuar nga “krijesa pa karakter, pa formim kulturor, trazira morale, ato specie inferiore të qenieve njerëzore që lindin në bashkësi kalimtare”.

Para se t’i kthehej letërsisë, ai e dëshmoi veten një artist vizual të suksesshëm. Po ashtu, shkrimtari shte i fiksuar pas kuajve. Me gjithë rëndësinë dhe popullaritetin në mbarë botën, Schulz nuk kishte vizituar më shumë se pesë shtete, ishte i lidhur me vendlindjen.

Veprat e Schulzit shpesh janë krahasuar me ato të Kafkës, veçanërisht për shkak të tematikës së ngritur në faje, ankth, marrëdhënia me Atin dhe metamorfozat, mirëpo Schulz ka vizionin dhe personalitetin e vet letrar. Universi i tij i ndërlikuar fantazmagorik është më barok dhe më ëndërrimtar sesa ai i Kafkës. Gjithçka vërtitet rreth imazheve groteske, duke përfshirë ligjin biblik, gjithçka është vazhdimisht lëkundëse midis ëndrrës, ëndërrimit dhe makthit. Këndvështrimi i shkrimtarit Bruno Schulz, mbi çmendurinë e botës që e rrethon është kënvështrimi i një piktori./Konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vetëvrasja e shkrimtares

‘Fundi tragjik i Virginia Woolf’

Agolli mbi varrin e 'Zogut të fundit të liqerit'

‘Kur gjeniu nderon gjeniun’