MENU
klinika

Detaje

Përçahen forcat serbe para zgjedhjeve në Kosovë

10.09.2019 - 11:12

Zgjedhjet e tetorit mund të sjellin ndryshime tektonike në skenën politike në Kosovë, jo vetëm sa i takon subjekteve shqiptare por edhe serbe.

Tri parti politike kanë krijur një koalicion, i cili mund të cënojë dominimin e Listës Serbe, e cila e ka mbështetjen e plotë të Beogradit.

Partia Përparimtare Serbe (SNS) e presidentit Aleksandar Vuçiq i quan këto parti madje si “përfaqësuese shqiptare të serbëve”. Partia e Vuçiqit mendon se “përfaqësusi monolit” i serbëve në Kosovë është Lista Serbe.

Të gjithë të tjerët – Partia e Pavarur Liberale, Partia e Serbëve të Kosovës dhe koalicioni i Partive Progresive Demokratike, Partia e Re në Kosovë dhe dy iniciativa qytetare të kandidatëve të pavarur me emrin „Sloboda” (“Liria”) – „nuk duan të punojnë për unitetin e korpusit nacional serb dhe në bashkëpunim me Beogradin zyrtar”, pohon partia SNS e Vuçiqit.

Vlerësimet e Beogradit për Listën Serbe janë shoqëruar gjithmonë para zgjedhjeve me kritika të ashpra ndaj kandidatëve dhe partive të tjera, deri tek frikësimi dhe presionet e mëdha ndaj zgjedhësve. Gjërat kanë arritur kulmin me vrasjen e dy kandidatëve për kryetar bashkie të Mitrovicës së Veriut: Dimitrije Janiqijeviq dhe Oliver Ivanoviq.

Në radhët e Listës Serbe është futur edhe partia e dikurshme e Ivanoviqit „Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP), që do të thotë se ky subjekt i është bashkuar atyre që Ivanoviqin e kanë targetuar si “tradhtar” dhe “njeri të shqiptarëve”. Ndërkohë që nënkryetari i Listës Serbe, Milan Raoiçiq kërkohet nga autoritetet e sigurisë, nën dyshimet për përzierje në vrasjen e Ivanoviqit.

„Mëkat i madh”, “turp” janë vetëm dy nga reagimet e shumta të serbëve të Kosovës, pas publikimit të lajmit se SDP e Ivanoviqit do t’i bashkohet tani Listës Serbe. Ndërsa presidenti Vuçiq dhe përfaqësuesi i Serbisë për Kosovë, Marko Gjuriq thonë se liderja e tanishme e SDP Ksenija Bozhoviq, është një “grua serioze dhe inteligjente”, e cila është “përcaktuar për politikën shtetërore të Serbisë ndaj Kosovës”.

Përçarjet

Por menjëherë pas lajmit për bashkimin me Listën Serbe, në SDP kanë filluar përçarjet. Dushan Milunoviq dhe Igor Rajçiq kanë akuzuar Ksenija Bozhoviqin për veprim të njëanshëm dhe kundër vullnetit të zgjedhësve të kësaj partie.

„Të gjithë jemi të shqetësur me vendimin e Ksenija Bozhoviqit“, thotë Milunoviq për DW. „Sa i përket anëtarëve të tjerë të SDP, ne po përpiqemi të mos i ngarkojmë ata. Duam që secili të vendosë sipas mendimit të tij, ndonëse shumica absolute mendon se nuk ka hapësirë për këtë lloj bashkëpunimi.“ SDP ka probleme të mëdha edhe me hierarki, sepse as dy vite pas vrasjes së Ivanoviqit, nuk është zgjedhur kryesia e re e partisë. Ndaj besohet se do të ketë përçarje edhe më serioze mes përfaqësuesve të kësaj partie për trashëgiminë e Ivanoviqit.

Aktualisht nuk dihet se kush është përfaqësuesi zyrtar i partisë. Bozhoviqi dhe Vuçiq thonë se shumica ka vendosur për bashkëpunim me Listën Serbe, ndërsa të tjerët pohojnë ndryshe. Aktualisht askush nuk është në gjendje të flasë me shifra të sakta se sa persona e kanë mbështetur bashkëpunimin e SDP me Listën Serbe.

Milunoviq pohon për DW se ai dhe Reljiq nuk do të bashkohen me Listën Serbe dhe do të vazhdojnë me përpjekjet për zbatimin e politikës së tyre në nivelin lokal. Ndërsa Ksenija Bozhoviq ende nuk është përgjigjur në kërkesat tona për bisedë.

Favoritët për zgjedhje

Zgjedhjet me 6 tetor do të mbahen pas dorëheqjes së papritur të kryeministrit Ramush Haradinaj, për shkak të ftesës si i dyshuar në Gjykatën Speciale për krimet e UÇK. Shumë parti politike dhe subjekte nuk kanë qenë të përgatitura për këtë lajm dhe këto zgjedhje. Por shumë analistë mendojnë se mund të ketë edhe ndryshime në pushtet dhe se në qeveri mund të futen subjekte të tjera. Ka pasur shumë negociata edhe mes dy partive të mëdha – Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja, por ato nuk kanë mundur të dakordohen për një koalicion parazgjedhor. Koalicionet mes dy subjekteve të mëdha shqiptare mund të sjellin një shumicë të mjaftueshme, e cila nuk mund të kushtëzohet nga deputetët serbë.

Shumë analistë mendojnë se LDK dhe Vetëvendosja mund të bëjnë koalicion dhe se këto subjekte mund të krijojnë qeverinë e re, por kjo varet nga rezultati i zgjedhjeve me 6 tetor. Për pjesëmarrje në zgjedhje janë paraqitur 20 parti, katër koalicion dhe një kandidat i pavarur./ DW