E gjithë krijimtaria në dorëshkrime e poetit shqiptar të dashurisë dhe liqerit, vjen së fundmi, nën përpunimin dhe restaurimin e plotë. E bija e Poradecit, nuk e ka fshehur entuziazmin, kënaqësinë dhe vlerësimin për këto botime të reja, që i paraprijnë edhe ditarit të poetit të dashur lirik./Konica.al
Ka përfunduar puna për restaurimin edhe përpunimin e fondit të Lasgush Poradecit, që familja e ka dhuruar pranë drejtorisë së Arkivave të Përgjithshme.
Fondi, që është dhuruar nga dy vajzat e poetit, Marie edhe Kostandina Poradeci, përbëhet nga 369 njësi ruajte, kategorizuar këto në nëntë dosje edhe në rubrika të ndryshme, nga veprimtaritë krijuese, materialet e familjes, apo letërkëmbimet me figurat e njohura kombëtare, si: Skënder Luarasin, Odhise Paskalin, Eqrem Çabejn e shumë personalitete të tjerë të kohës.
Marie Lasgush Poradeci, për mediet ka shprehur entuziazmin për këtë nismë të ndërmarrë një vit më parë, që materialet e të atit t’i dorëzohen të gjitha, arkivës.
“Jam shumë e lumtur, sepse ky ishte një amanet i babait tim. Ky arkiv është i gjithi në dorëshkrim, sepse im atë nuk përdorte makinë shkrimi. Edhe kjo ka anët e veta positive, për studiuesit. Këtu është e gjithë vepra e tij poetike edhe publicistika në dorëshkrim. Është edhe shkrimi sesi u hartua himni kombëtar, që dorëzohet në dokumente autentike të Bukureshtit. Ka shumë letërkëmbime me Çabejn, Paskali. etj. Babi ishte shumë skurpuloz. Ndoshta, modeli i parë që mbante kopje të korrespodencave, sepse thoshte se kur shkruante një letër, vendoste gjithë zemrën e tij, prandaj donte që të më ruhej.
Marie Poradeci, ndërkohë po punon për botimin e ditarit të Lasgushit, sepse në këtë mënyrë, sikundër ajo shpreson, do të kenë mundësi që lexuesin ta njohin më mire babain e saj dhe poetin e madh.
“Jemi në fazën përfundimtare. Ditari nis në vitin 1936 edhe përfundon në vitin 1982. Atje është gjithë letra e babit tim, titulli është mbështetur në poezinë “Trashëgimi” edhe do të jetë: “Ju më lini të flas unë”.
Deri tani kanë folur shumë për tim atë, por le ta lexojnë në vazhdim, se çfarë ka thënë ai për jetën e tij. Ka shkruar çdo moment. Edhe pse ka vuajtur, thoshte se “dua që të vdes, pasi të kem mbaruar destinin tim”.
“Ditari”, nga Lasgush Poradeci, mendohet të prezantohet gjatë panairit të librit, muajin nëntor.
TRASHËGIMI
Ju më lini të flas unë.
T’ju them fjalë vjershërije,
Në bunacë e në furtunë
Të këndoj siç më ka hije.
Hija ime nuk di dhunë.
Di veç frymezim lirie,
Dhe di punë,punë,punë,
Mund pa fund për art magjie.
Që të them nga ç’pata shkruar,
Me kuvend të përvëluar:
Ja! Një kenge mjeshtërie,
Ja! Një iskër bukurie.
Dhe ta shoh të pasqyruar
Vetëveten fije-fije,
Fije-fije poezie,
Që mban erë Shqipërie.