Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka dhënë deklaratën e tij për mediat në konferencën për shtyp para ndeshjes me Osasunan. Ai është treguar i qartë dhe indiferent përsa i takon zërave për largimin e tij nga ekipi.
Zidane ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me dëmtimet që po vuan skuadra.
“Më shqetësojnë shumë dëmtimet, por janë pjesë e lojës. Ne do të kujdesemi për secilin prej tyre. Më vjen keq, pasi futbollistët nuk pushojnë thuajse kurrë. Ndeshje në ligë, europë dhe direkt në kombëtare, më shqetëson, por s’kemi se çfarë bëjmë. Duhet t’i lë pushim disa, pasi nuk janë makineri”, ka thënë francezi.
I pyetur në lidhje me ecurinë në kampionat deri tani, Zidane ka thënë se të gjithë duhet të japin maksimumin dhe të luftojnë së bashku.
Më tej trajneri është pyetur për zërat që përflitet një largim i mundshëm i tij nga stoli i madrilenëve.
“Nuk mendoj për ta. Kur humbas jam ‘out’, kur fitoj jam ‘in’. Duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës dhe vetëm kjo më intereson”, ka deklaruar Zidane.
Më pas trajneri francez ka dhënë mendimin e tij për ‘krizën e Barcelonës’.
“Me Barcelonën dhe me Atleticon do të jetë gjithmonë e njëjta e gjë. Ne duhet të bëjmë maksimumin, ne duhet të japim më të mirën dhe kjo më intereson. Mund të fitojmë ose të humbasim, por duhet ta bëjmë duke dhënë më të mirën, gjithmonë”, është shprehur kreu i ‘Los Blancos’.