MENU
klinika

Prezantimi i trajnerit të ri

Ahmataj bardheblu: Erdha për titullin te Tirana

25.10.2019 - 19:20

Julian Ahmataj u prezantua sot dhe ka nisur menjëherë nga puna me Tiranën, për ta çuar aty ku e meriton, te titulli kampion.

Në një prononcim për mediat, Ahmataj ka pohuar: “Dua të falënderoj njerëzit që ma besuan këtë detyrë, veçanërisht presidentin Halili. Është një shans që të vjen apo nuk të vjen një herë në jetë dhe unë dua ta shfrytëzoj.

Do të jap më të mirën time dhe do të bëj maksimumin që Tirana të dalë kampion. Unë nuk mund ta garantoj këtë, sepse kampion dilet në muajin maj, por premtoj se do të jap më të mirën time, që të arrijmë te rezultatet pozitive.

Kam një grup shumë të mirë lojtarësh, që është ndërtuar shumë mirë dhe për këtë falënderoj ish-trajnerin Mema. Kam miqësi më të, është një njeri i përsosur dhe më vjen keq që është larguar nga skuadra. Puna jonë kjo është, duhet të shohim përpara. Respekt pa fund”, – tha Ahmataj fillimisht.

Studimi

Ahmataj thekson se e ka parë Tiranën, madje edhe e ka ndjekur nga afër këtë sezon: “Kur e sheh nga jashtë skuadrën, ka të tjera gjëra dhe kur e sheh nga brenda ka të tjera.

Nuk kemi ardhur për të gjetur fajtorët dhe ata që kanë gabuar. Duhet të shohim përpara dhe nëse shpallemi kampion merita do të jetë e futbollistëve”.

Luftëtari

Ahmataj e nis aty ku e la në Superiore, në Gjirokastër, skuadra e fundit që elbasanasi ka drejtuar në elitë: “Nuk do të doja të filloja në Gjirokastër, sepse kam respekt për atë ambient. Ka një skuadër të mirë që besoj se do të na hapë punë.

Në futboll ka një gjë, ose di ta bësh, ose nuk di ta bësh punën. Po të mbledhësh pikët që kam marrë me Luftëtarin, sot mund të isha në vend të parë. Në një skuadër të madhe ti ke më shumë probleme, më shumë alternativa, që në fund të vënë para përgjegjësisë për të bërë zgjedhje”.

Lojtarët

I pyetur se çfarë kërkoi nga skuadra në këtë ditë të parë të punës, Ahmataj shtoi: “Asgjë, ua kam hequr përgjegjësinë e rezultateve, thjesht duhet të japin maksimumin në fushë. Po të mos ishin këto lojtarë, nuk do e pranoja këtë detyrë”.

Tifozët

“Unë nuk kam bërë asnjë mrekulli, atje ku punoj vë njerëzit në pozita punë. Se sa të aftë do të jemi, mbetet për t’u parë”.

Presidenti

Halili ka kërkuar titullin këtë sezon, ndërsa Ahmataj në lidhje me synimin e presidentit, në fund ka pohuar se: “Do bëj maksimumin që t’ia jap titullin, bashkë me lojtarët. I uroj suksese të gjithëve, edhe duke qenë 100-vjetori i klubit”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN