Pas përzgjedhjes së filmit të tij, “Delegacioni”, kineasti shqiptar ka folur për mediet, nga Komisioni i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, si përfaqësues për Shqipërinë në çmimet “Oskar”. Regjisori, nuk ka hezituar të shprehet edhe për mangësinë e shfaqjeve të filmave për publikun shqiptar, paçka suksesit ndërkombëtar të tyre…
Regjisori Bujar Alimani, është i njohur për nominimet e filmave të tij, që kanë përfaqësuar Shqipërinë, pranë akademisë së çmimeve OSCAR. Filmat “Amnistia” apo “Kromi”, i kanë paraprirë atij të këtij viti, filmit “Delegacioni”, me skenar të të ndjerit Artan Minarolli. Kineasti ka rrëfyer përpara medieve, emocionet e kësaj here. Jeta edhe karriera profesionale e artistit, ndahen mes Shqipërisë dhe Amerikës, ndaj regjisori prek këtu, disa nga problematikat më të mprehta të kinematografisë sonë, pa lënë jashtë vëmendjes përpjekjet e artistëve shqiptarë përballë komercialitetit.
“Është një gjë shumë e veçantë, sepse shënohet për herë të tretë, përzgjedhja e filmit tim në nominimet e shtetit për çmimet OSCAR. Është një ngjarje shumë e veçantë edhe nga ana personale. Nga ana tjetër mendoj se vet filmi e përfaqëson denjësisht këtë lloj nominimi. Këtë e them pas rrugës që ka bërë filmi, që është konsideruar më shumë se interesant edhe me vlera, nisur edhe nga çmimet që ka marrë, që nga Çmimi i Madh në Festivalin e Filmit në Varshavë”, – thotë mes të tjerash, Alimani.
Në Shqipëri, ata të cilët rreken të bëjnë art të vërtetë, kanë zgjedhur që të mos jenë pjesë e komercialitetit në punën e tyre. Për këtë pjesë, distribucioni i filmit është një nga problemet më të mëdha tek ne, sa i përket kinematografisë.
“Një problem shumë i madh yni, mbetet distribucioni i filmit. “Delegacioni”, ashtu si shumë filma tanë, shkon deri në katandisjen e një jave në një kinema, ku edhe aty, ka pak spektatorë. Nga ana tjetër, jemi para dilemës që të bëjmë ne ato që do publiku, duke u helmuar në 30 vite, apo të punojmë që publiku të vijë tek ne, duke rezistuar që të bëjmë punë të tilla dinjitoze. Krijuesit shqiptarë kanë përzgjedhur që të rezistojnë, duke mos shkuar drejt një kinemaje komerciale. Pasi, pas viteve ’90-të, ai që e pësoi më shumë, dihet që ishte arti, prandaj mendoj se duhet që t’i mëshojmë hallkës së industrisë së filmit, distribucioni. Ne që punojmë me filmin, e bëjmë vetë këtë, nga halli, por kudo në botë ekzistojnë industri për këtë pjesë. Ndërsa, kinematë ku çojmë filmin, nuk kanë asnjë broshurë. Por, ka diçka që nuk shkon, pasi ne po shkojmë në kinematë botërore edhe po vlerësohemi, ndërsa këtu jemi në një pikë zero, që ne duhet t’i mëshojmë më shumë”, – shpjegon regjisori.
Për Këshillin Miratues të Projekteve në Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, me tre anëtarë të huaj edhe dy shqiptarë, Alimani shprehet, se: “Mendoj se kjo gjë është e mirë, duhet provuar, pse jo. Nëse nuk funksionon, nuk funksionon, pasi ne, në një botë eksperimentale jemi. Kosova ka pasur sukses, ndaj përherë ka në bordin e saj, të huaj. Nuk e di sa mund të cënohen këtu, elementet e kinematografisë sonë kombëtare, pasi ne synojmë kinemanë ndërkombëtare, duke pasur në thelb elementet kombëtare. Megjithatë, një pjesë e madhe e kineastëve, e kemi vuajtur përzgjedhjen e bordeve nga shoqatat, prandaj ideja e një unioni e një shoqate të vetme më kineastë, do të mund të na bënte edhe më të fuqishëm në atë që duam edhe kërkojmë”.
Subjekti i filmit “Delegacioni” është në të njëjtën vijë paralele me përpjekjet e Shqipërisë sot, për të çelur negociatat në Bashkimin Europian. Ndërkohë, Alimani mendon se, kineastët, tashmë e kanë bërë punën e tyre, duke qenë pararojë e drejtuesve të shtetit.
“Ne mendojmë se kinematografia jonë është në Komunitetin Evropian, ndihem pjesë e një kinematografie europiane. Ndihem i barabartë me shumë kolegë të mi, në Europë. Me “unë”, nënkuptoj të gjithë kinesatët, që kanë tejkaluar këtë doganë edhe këtë lloj negociatash. Mendoni sesa i lokalizuar është teatri, piktura apo muzika, në këtë drejtim. Ndaj, kinematografia është një tren i madh, që shkon me shpejtësi edhe kap shumë stacione të Europës” – ka vënë në dukje, ai.
Theksojmë, se regjisori Alimani është përzgjedhur edhe si anëtar jurie, në Festivalin e Filmit Varshavë.