MENU
klinika

Nga Financial Times

Brukseli mund të humbasë një nga aleatët më të mëdhenj në rajon

22.10.2019 - 19:22

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka thirrur zgjedhje të reja, një veprim që mund të bëjë që Brukseli të humbasë një nga aleatët e tij më të mëdhenj në rajon.

Që nga qershori 2018 kur Athina dhe Shkupi nënshkruan një marrëveshje për të normalizuar marrëdhëniet e tyre, dukej sikur më në fund kishte disa lajme të mira nga Ballkani.

Tani, përparimi i bërë në atë që tani quhet Maqedonia e Veriut po kërcënohet, pas JO-së së presidentit francez Emmanuel Macron për hapjen e negociatave.

Për vite me radhë, Brukseli kishte menduar një shpërblim për zgjidhjen e mosmarrëveshjes gati tre-dekadëshe me Athinën, por të premten shtyu një vendim për herë të tretë në 16 muaj.

zoran zaev-konica.al

Pas kësaj, Zoran Zaev, kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka thirrur zgjedhje të reja, një veprim që mund të bëjë që Brukseli të humbasë një nga aleatët më të mëdhenj në rajon.

“Ne i kemi përmbushur të gjitha detyrimet tona, kemi dhënë rezultate me reformat tona, kemi zgjidhur çështjet me fqinjët tanë. Jam i zhgënjyer dhe i zemëruar dhe e di se njerëzit tanë ndjehen njësoj, “u ankua Zaev pasi u kthye nga Brukseli.

Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen në prill. Në një paralajmërim për Brukselin, Zaev ka thënë se një votim për forcat e opozitës do të ishte për “një rrugë që të çon prapa, drejt izolimit, nacionalizmit, konflikteve”.

Vetoja e Macron gjithashtu kërcënon të rrezikojë disa hapa thelbësorë që qeveria duhet të bëjë përpara zgjedhjeve.

 

Që kur erdhi në pushtet në 2017, Zaev u përpoq të përmirësojë marrëdhëniet me Athinën, e cila kishte kundërshtuar emrin e vendit me arsyetimin se ai nënkuptonte objektiva territoriale në krahinën greke me të njëjtin emër. Ai gjithashtu përmirësoi lidhjet me Bullgarinë, me të cilët marrëdhëniet gjithashtu kanë qenë të ndërlikuara historikisht.

45-vjeçari erdhi në pushtet pas shumë vitesh protestash kundër kundërshtarëve të tij, një parti konservatore nacionaliste e udhëhequr më parë nga ish-kryeministri i arratisur Nikola Gruevski.

Partia e Gruevski, e udhëhequr tani nga një pasardhës, kundërshton kompromisin për emrin e vendit dhe është zotuar të zhbëjë marrëveshjen nëse kthehet në pushtet. Nënkryetari i partisë ka premtuar gjithashtu “të kërkojë përgjegjësi për këta tregtarë të pamatur që shitën gjithçka”.