MENU
klinika

Detyrimet e papaguara

DPT njofton Marrëveshjen e Pagesës me këste

02.10.2019 - 12:37

Tatimpaguesit, që kanë detyrime tatimore të papaguara mund të nënshkruajnë me organin tatimor një Marrëveshje të Pagesës me Këste.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, njofton se, tatimpaguesit për të përfituar nga kjo lehtësi duhet të justifikojnë paaftësinë likuiduese të përkohshme financiare.

Sipas DPT marrëveshja me këste nuk mund të zgjatet përtej fundit të vitit që pason vitin në të cilin është lidhur ajo. Në rastet e marrëveshjeve për pagesë me këste, tatimpaguesi paguan kamatëvonesat, por nuk llogaritet gjobë për pagesë të vonuar.

Hapat që duhen të ndiqen për të nënshkruar një marrëveshje të pagesës me këste janë si më poshtë:

Hapi 1 – Kërkesë me shkrim drejtuar Drejtorisë Rajonale Tatimore nën juridiksionin e të cilës është regjistruar. (Shpjegoni rrethanat dhe arsyet pse kërkohet të lidhet një marrëveshje për të paguar me këste detyrimet tatimore.)

Hapi 2 – Drejtoria Rajonale Tatimore brenda 10 ditëve njofton nëse kërkesa pranohet apo refuzohet.

Hapi 3 – Nëse kërkesa pranohet, nënshkruhet marrëveshja për pagesë me këste të detyrimeve tatimore të papaguara. Kjo marrëveshje nënshkruhet nga tatimpaguesi dhe nga drejtori i drejtorisë rajonale të tatimeve ose drejtuesi i njësisë së ngjashme me të, vetëm nëse tatimpaguesi paguan menjëherë 20% të vlerës së detyrimit, për të cilin lidhet marrëveshja e pagesës me këste.

Me lidhjen e kësaj marrëveshje tatimpaguesit nëpërmjet modulit E-filing kanë të drejtën të ndjekin në kohë reale situatën e saj dhe të gjenerojnë “Urdhër Pagesën” e dedikuar vetëm për planin e pagesës me këste. Në këtë rast pagesa do të shkojë vetëm për periudhën / periudhat e përcaktuara në këstin e radhës, shkruhet në njoftim.

Gjithashtu DPT bën me dije se Administrata Tatimore do të ndërpresë masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore, por ajo nuk tërheq masën e vendosur për të siguruar pagesën e detyrimit tatimor. Nënshkrimi i një marrëveshje për pagesën me këste të një detyrimi tatimor, nuk ndërpret llogaritjen e kamat-vonesave për mospagim në afat të detyrimit tatimor të mbetur pa paguar, citon njoftimi i tatimeve.