Me tërheqjen e tyre nga Siria e veriut, SHBA tradhëtojnë aleatin më besnik në luftën kundër Shtetit Islamik. Për situatën e ardhshme të sigurisë në Evropë kjo mund të rezultojë gabim i rëndë, thotë Matthias von Hein.
“Pa miq, përveç maleve”. Lajmet e fundit nga Uashingtoni duket se konfirmojnë këtë proverb të vjetër kurd. SHBA bënë të ditur se nuk do ta pengojnë më një pushtim turk të zonave kurde në veri të Sirisë. Me këtë, SHBA ia ekspozojnë aleatin më të ngushtë në luftën kundër “Shtetit Islamik” epërsisë së makinës ushtarake të Erdoganit.
Më shumë se 10.000 luftëtarë kurdë kanë dhënë jetën vitet e kaluara në luftën kundër Shtetit Islamik. Milicët kurdë ishin shtylla kurrizore e SDF, “Forcave Demokratike Siriane”, të cilët mbajtën pjesën kryesore të luftës në tokë, kundër IS. Tani është e qartë: shpresa e kurdëve se e kanë merituar me këtë mbrojtjen e SHBA nga sulmet turke rezultoi e gabuar.
Fitim i hapësirës për refugjatët sirianë
Presidenti turk ka kohë që ia kishte vënë syrin veriut të Sirisë. Kohët e fundit, Erdogani prezantoi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së planet e tij për një “zonë të sigurisë” me gjerësi 30 kilometra, në jug të kufirit turk. Me një vijë kufitare prej pothuajse 500 kilometrash të gjatë, zona do të ishte me të njëjtën madhësi sa landi gjerman i Schleswig-Holstein.
Në Sirinë e shkatërruar nga lufta, zonat e kontrolluara nga kurdët deri tani kanë qenë oaze stabiliteti. Operacioni i afërt ushtarak i Turqisë pritet ta ndryshojë këtë.
Pasojat e pushtimeve turke në Siri mund të shiheshin në fillim të vitit 2018 në pushtimin me emër cinik”Operacioni Ulliri” të Afrinit: atje, ushtria turke hyri së bashku me milicinë xhihadiste.
Sipas shifrave të OKB, atëherë nga qyteti i Afrinit dhe rrethinat u larguan 140000 vetë. Shifra edhe më të larta vijnë nga Qendra vëzhguese Siriane për të Drejtat e Njeriut: ajo flet për 350.000 vetë të zhvendosur. Organizatat e të drejtave të njeriut u ankuan për shkatërrimin sistematik të bazave të jetës. Shtëpitë kurde i plaçkitën, në to vajtën sirianë arabë.
Plane të ngjashme Erdogani po ndjek edhe tani – fare hapur. Ai dëshiron të hapë vend për më shumë se tre milionë refugjatë sirianë, që nuk janë më të mirëpritur në Turqi. Në fund të fundit, kjo do të thotë se Erdogani po planifikon një spastrim etnik dhe pas kësaj shpërngulje përgjatë kufirit sirian-turk.
Kush kujdeset për mbetjet e Shtetit Islamik?
Me gjithë këto, nuk duhet të harrojmë: lufta kundër Shtetit Islamik nuk është fituar. Vërtet që ai e humbi territorin e tij në fillim të vitit. Por luftëtarët e Shtetit Islamik ende fshihen në territorin e Sirisë. Dhe ende ideologjia e Shtetit Islamik është në mendjen e rreth 12.000 luftëtarëve të kapur të Shtetit Islamik, të cilët ruhen nga kurdët në veri të Sirisë. Kur të afrohet ushtria turke, kurdëve do t’u duhet të kujdesen për diçka tjetër në vend të trashëgimisë njerëzore të kalifatit të terrorit. Megjithëse Presidenti amerikan Trump këtu ia kaloi detyrimin Erdoganit: për luftëtarët dhe mbështetësit e kapur të Shtetit Islamik përgjegjëse do të jetë Turqia, tha ai. Por me sulmin turk, bota nuk do të bëhet më e sigurt.