MENU
klinika

Interesimi për klubin kuqezi

Më i pasuri i Evropës gati të blejë Milanin

30.10.2019 - 16:43

Një sinjal shprese për të ardhmen e Milanit. Ndërtimi i një impianti në pronësi, edhe pse bashkë me Inter-in, është në qendër të projektit të grupit Elliott, që synon të rimëkëmbë klubin pikërisht siç ka bërë Agnelli me Juventus-in.

Pas miratimit për të nisur punimet, Elliot do të dëgjojë oferta për shitjen e klubit milanez. Mes ofertave, është edhe e Bernard Arnault, pronari i grupit Lvmh-Louis Vuitton.

Sipas “Il Giorno” dhe “Sport Mediaset”, pavarësisht përgënjeshtrimeve që kanë ardhur nga kompania e famshme e modës, dëshira e tij për të blerë klubin është shumë e madhe.

Bernard Arnault duket e ka seriozisht dhe i ka kërkuar një banke investimesh londineze që të bëjë rolin e ndërmjetësit në negociatat e ardhshme.

Numri një i markës së famshme Louis Vuitton, në fakt, synon të transferohet në qytetin e modës dhe të largohet nga Anglia, ku bizneset e tija mund të marrin disa goditje për shkak të Brexit.

Projekti për të rimëkëmbur Milan-in, përveç stadiumit në pronësi, parashikon edhe një kthim të bujshëm të Massimiliano Allegri-t në stolin e kuqezinjve.

Objektivi i Fondit Elliott është që ta shesë klubin, por fillimisht kërkon t’i kthejë shkëlqimin skuadrës kuqezi dhe të mbyllë çështjen për ndërtimin e San Siro-s së ri.

Sipas shtypit italian, pronarët aktualë të Milan-it kanë refuzuar një ofertë prej 600 milionë eurosh të bërë nga Daniel Kretinsky, pronari i Sparta Prague. Vlera e klubit, sipas Elliott, është 1 miliard e 200 milionë euro.

Një shifër që Bernard Arnault është gati ta paguajë dhe kjo nuk është një çudi, duke parë se ai është njeriu më i pasur në Europë dhe i treti më i pasur në botë me një pasuri prej 96 miliardë dollarësh.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN