MENU
klinika

Modiano magjepsës...

“Më pëlqen të shkruaj në fshehtësi”

03.10.2019 - 14:16

     Në vijimësi të hulumtimit të së shkuarës në romanin e tij të ri, nobelisti rishikon labirintet e kujtesës, duke u mëdyshur me idenë se mos vallë gjithë hollësitë e rrugëtimit të jetës “janë shkruar diku me bojë të këndshme”.

Një narrator bredhërin në Parisin e të kaluarës, në kërkim të një gruaje të zhdukur… Çmimi “Nobel” i letërsisë ruan imagjinatën dhe stilin e tij magjepsës, në ngutjen e një të kaluare të pasigurt dhe të një Parisi të shkuar. Zhan Patrik Modiano (1945), shkrimtari bashkëkohor francez me më shumë se tridhjetë punime teatrale, romane dhe çmime ndërkombëtare i rikthehet vëmendjes së publikut./Konica.al

“Bojë e këndshme”… është libri i fundit që ka nxjerrë nga duart nobleisti francez. Që në titull na krijohet ndjesia e rikthimit të beftë në kontinentin Modiano, me një gjeografi sentimentale dhe të mistershme, të kujtimeve të humbura, të personazheve kalimtarë. Narratori, i cili s’i ka mbushur ende të 20-at, zotëron vetëm një kartelë, me të dhënat e duhura, nga një agjenci detektive, duhet të bjerë në gjurmët e njëfarë Noëlle Lefebvre, që është zhdukur pa lënë adresë. E ka marrë përsipër këtë punë, që ndërthur hetimin, intuitën dhe sekretin profesional, vetëm si një aktivitet të përkohshëm, të dobishëm, mendon ai, për të hyrë në letërsi. Me aftësinë për t’u prezantuar në jetën e të tjerëve, ai vepron si shkrimtar…

 

 

 

 

 

Sërish arti romanesk nga Modiano, i tipit somnabul në palimpsestet e Parisit pranveror, detaje të konservuara në një harresë të mjegulluar. Modiano luan në analogji me imazhin e padukshëm të fotografisë, që lind nga zhvilluesi në dhomën e errët. Një fletore e vjedhur, në një apartament të zbrazët, vepron, edhe pse me tregues fare të papërfillshëm, si ato pamjet e ngrira të cilat nuk kanë asgjë për të ofruar përveç gozhdimit të misterit që mbartin. Pjesa e fundit, enigmatike, e lehtë si ëndërrim, është vendosur në Romë: “qyteti i harresës”. Në çastin e heqjes së velit, Modiano shkruan: “Kam frikë se pasi t’i keni marrë të gjitha përgjigjet, jeta juaj do të rimbyllet për t’ju zënë si në kurth, në zhurmën që bëjnë çelësat e qelive të burgut. A nuk do të ishte më mirë të linim rreth vetes vise të vagullta ku të mund të arratiseshim?”./Konica.al

 

 

 

 

 

Me hap të palodhur nobelisti bredhërin në këto “zona ku ndërthuren kujtesa dhe harresa”, gjithnjë me atë shkrim të ngadaltë, magjepsës, hipnotik, me fjali të thjeshta dhe me ritmin e valëve të ngadalta, të buta, të cilët shtrojnë shkumën e tyre të nostalgjisë në bregun e faqeve. Narratori bredhëritet nëpër mjegullnajën e kujtimeve të tij, ngjitet në detaje që arrijnë deri në sipërfaqe të kujtesës, si një kandil i ngjeshur me objekte lundruese. Shumë nga pyetjet e tij, pa përgjigje, humbasin në mjegullat e kohës. “Ose, thjesht, a jetojmë nën mëshirën e heshtjeve të caktuara”.

“Mundohem të vë rregull në kujtimet e mia, secila prej tyre është një pjesë e pazëllit, por më mungojnë shumë, kështu që shumica e tyre janë të izoluara. Ndonjëherë arrij të kap tre ose katër, por jo më shumë. Atëherë shënoj copëza fjalish që më vrundullohen ashtu në rrëmujë, vërej lista emrash ose fjali shumë të shkurtra. Uroj që këta emra njëlloj si magneti të tërheqin të reja në sipërfaqe dhe që këto copëza fjalish të përfundojnë duke formuar paragrafë dhe kapituj që ndjekin njëri-tjetrin”, – shprehet autori.

 

 

 

 

 

Patrik Modiano është shkrimtari i kujtesës, i mbijetesës të së shkuarës në të tashmen, të vetëdijësimit për zhdukjen, i mbikëqyrjes dhe kërkimit të identitetit. Është “detektivi metafizik”, – siç shprehet edhe bashkëshortja, – kurorëzuar me çmimin “Nobel” për letërsinë, nga Akademia Suedeze, me motivacionin: “Për artin e të kujtuarit me anë të të cilit, ai ka evokuar fatet njerëzore, të tilla që nuk përpihen dhe ka zbuluar jetën dhe botën e okupimit”.

Ashtu si personazhi i tij, Patrick Modiano rreket të bëhet arkeologu i kujtesës, të gërmojë në kujtimet e veta, të largëta, të paqarta, të vagullta ose të parëndësishëm, t’i shkruajë për t’i bashkërenduar dhe të përpiqet të deshifrojë kuptimin. Në ditët e sotme, njihet si një nga shkrimtarët më të talentuar të brezit të tij./Konica.al 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vetëvrasja e shkrimtares

‘Fundi tragjik i Virginia Woolf’

Çmimi Kombëtar ‘’Lumo Skëndo’’

‘’Tregime të moçme shqiptare’’ nderohet me titull

Agolli mbi varrin e 'Zogut të fundit të liqerit'

‘Kur gjeniu nderon gjeniun’


Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!