Janë talente në arte dhe sport por shpesh matematika u prish pune dhe nuk kapin dot mesataren e vendosur me ligj nga qeveria për të ndjekur studimet e larta.
Mesatarja nuk do të jetë më pengesë për maturantët të cilët aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve pranë Universitetit të Arteve dhe atij të sporteve pasi nuk e kanë më detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare 6.5
Qeveria ka hequr notën mesatare për të gjithë aplikuesit për programet e studimeve në fushën e Artit dhe të Sportit me anë të VKM-së numër 651.
Rektori i Universitetit të Arteve Kastriot Çaushi pohoi se konkursi do të vijoje të mbetet por nota mesatare 6.5 nuk është më kriter pranimi. Studentët këtu testohen për talentin e tyre që zë rreth 70% të vlerësimit ndërsa 30% e zinte nota mesatare.
Mësohet se kanë qene vete maturantët kandidatë tek Universiteti i Arteve të cilët i kanë drejtuar këtë kërkesë qeverisë dhe ministrisë së arsimit. Duket se kandidatët për tek Univeristeti i Arteve kanë “shpëtuar” dhe moshatarët që aspirojnë të jenë pjesë e Universitetit të Sporteve.
Sipas vendimit të qeverisë edhe kandidatët nga Kosova, si dhe ata me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, që aplikojnë për t’u pranuar në programet e ciklit të parë të studimeve dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare ashtu si maturantet nga Shqiperia.
Universitet tashmë janë në raundin e tretë të regjistrimeve por për maturantët që synojnë artet dhe sportet duket se rregullat e “lojës” do të ndryshojnë për tu dhënë një shanc më shumë për të shfaqur talentin.