MENU
klinika

9 muaj më pas u dëbua ambasadori iranian

U hoqën si gazetarë/ Si u parandalua sulmi terrorist në Tiranë?

23.10.2019 - 13:20

Policia shqiptare zbuloi një rrjet terrorist të drejtuar nga regjimi iranian i njësisë së forcave revolucionare “QUIDS” që kishte synim kryerjen e sulmeve ndaj opozitës iraniane MEK, refugjatë muxhahedinë të strehuar në Shqipëri.

Kjo celulë kishte planifikuar në mars 2018 kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit. Por çfarë ndodhi atëherë dhe si u parandalua?

Dy iranianët e dyshuar që do të kryenin sulmin u kapën në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane pak përpara nisjes së ceremonisë festive të Sulltan Nevruzit në 22 mars të vitit 2018. Në momentin që u ndaluan nga policia ata thanë se janë gazetarë.

Iranianët me inicialet F. Z 65 vjeç dhe S.M. 59 vjeç u ndaluan nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe njësia e anti-terrorit në policinë e shtetit. Momentin e ndalimit ata ishin duke bërë foto dhe u thanë oficerëve të anti-terrorit se ishin gazetarë dhe kishin ardhur me ftesë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

Dy iranianët kishin mbërritur në Shqipëri përmes aeroportit të Rinasit duke kaluar pa asnjë problem kontrollin policor. Ruajtja dhe survejimi i tyre është bërë pas sinjalizimit të ndërkombëtarëve, por pas ndalimit dhe marrjes në pyetje u liruan sërish, por u mbajtën nën vëzhgim duke sjellë zbulimin e rrjetit.

Nëntë muaj pas kësaj ngjarje, Shqipëria dëboi ambasadorin e Iranit nga Tirana. Gholamhossein Mohammadnia dhe një diplomat i kësaj ambasade u dëbuan me akuzën për cenim të sigurisë kombëtare.

Gholamhossein Mohammadnia akuzohej edhe nga muxhahedinët (anëtarë të opozitës iraniane) që jetojnë në vendin tonë si agjent i shërbimeve sekrete iraniane duke ngritur vazhdimisht shqetësimin se jeta e tyre ishte në rrezik nga veprimtaria e agjenturore e Iranit në Shqipëri.