MENU
klinika

Tragjedia e kampionit të botës

“Qaj shpesh, u luta shumë, por Zoti ma mori djalin”

02.11.2019 - 14:01

Mund të jesh njeri i fortë, kampion bote, guximtar dhe të kesh bërë historinë, por humbja e një njeriu të afërt, siç është djali në kulmin e moshës, të demoralizon dhe të trishton shumë.

E kemi fjalën për brazilianin Cafu, që foli për herë të parë për humbjen e Danilo Feliciano de Moraes, djalit të tij të madh, që vdiq në moshën 30-vjeçare, nga një atakt kardiak.

Danilo ndërroi jetë më 4 shtator, ndërsa po luante futboll me babanë e tij në fushën brenda shtëpisë, ku familja jeton në Alphaville. Në një intervistë për revistën “Veja”, kampioni botëror deklaroi:

“Ende nuk e kam përtypur faktin që varrosa një djalë. Unë shkoj në varreza çdo pesë ditë, nuk kam pasur guxim e zemër të hyj në dhomën e tij, kurrë nuk u futa përsëri në fushën ku ndodhi gjëma.

Të varrosësh fëmijën është dramë e madhe, ndryshon nga konteksti i përgjithshëm i gjithçkaje që ndien gjatë gjithë jetës. Djali tjetër, Ëellington, ka hyrë në dhomën e tij deri më tani, mblodhi gjërat dhe i dhuroi të gjitha.

Nuk e di si ta përshkruaj dhimbjen e madhe të hedhjes së dheut mbi arkivolin e një fëmije, duke ditur që ai kurrë nuk do të kthehet (qaan me lotë). Vdekja e fëmijës e shoqëron babain dhe nënën për gjithë jetën”.

Cafu rrëfeu se si kanë qenë ditët e zisë dhe konfirmoi se djali i tij i ndjerë tashmë u përpoq të bëhej një futbollist profesionist në kohën kur vetë luante për Milanin:

“Unë qaj çdo ditë, kur jam vetëm. Kur kthehem në shtëpi, përpiqem të jem i fortë. Në fund të fundit, jam shtylla e familjes. Zakonisht qaj në trafik, i thërras miqtë vetëm për të qarë. Ata madje e dinë dhe heshtin, kështu që unë qaj, qaj dhe qaj.

Të qarit sikur më qetëson gjoksin. Nuk kam humbur vetëm fëmijën, kam humbur një mik futbolli, shoqëruesin tim të udhëtimeve dhe birrës. Kam humbur gjithçka. Danilo më mbushte shtëpinë”.

Më tej, ish-futbollisti i njohur rrëfen ditën e tragjedisë, që ndodhi në fushën brenda rrethimit të shtëpisë:

Kishim planikuar një ndeshje me miqtë, por unë po nxitoja, sepse do të udhëtoja për punë në SHBA. Kur nisi loja, i njoftova të gjithë për largimin para kohe. Danilo ishte në të njëjtin ekip me mua.

Në fakt, ai u largua para meje, ndërsa unë vazhdova të luaj. Tre minuta më vonë vura re një tronditje jashtë fushës. Nga kurioziteti, shkova për të parë se çfarë po ndodhte dhe u përballa me djalin tim, që kishte konvulsione.

U frikësova, sepse kishte një histori delikate të zemrës. Thirrëm ambulancën, por na thanë se do të mbërrinte për dhjetë minuta. Djali im nuk mund të priste. U kërkova që të largonin fëmijët, në mënyrë që të mos e shihnin skenën dhe nxitova ta dërgoja në spital vetë me makinë.

E mbajta Danilon në prehër, e futa në makinë dhe brenda pesë minutave mbërritëm në spital. Tashmë, ishte më keq. Mjekët u përpoqën ta mbanin në jetë. Pas gjysmë ore, një doktor më thirri në një qoshe.

Unë i thashë: Doktor, nuk ke pse të thuash asgjë. Unë e shoh që ai nuk përgjigjet… Në fakt, kisha qëndruar jashtë spitalit duke i kërkuar Zotit të mos e merrte djalin tim (qan). Nuk ishte e mundur…”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN