MENU
klinika

Serie A, java 13

Dopio Higuain, Juventus përmbys në Bergamo

23.11.2019 - 16:56

Një sukses i vuajtur, por Juventus mban kreun, madje shkëputet momentalisht në renditje ndaj Interit. Kampionët fituan 3-1 ndaj Atalantës në Bergamo, tri pikë që erdhën me përmbysje dhe pa Cristiano Ronaldon.

Juventus ka vuajtur shumë që në pjesën e parë. Fillimisht vendasit përfitojnë penallti, por Barrow e humb. Më pas Bernardeschi dëmtohet dhe në fushë futet Ramsey. Dybala është nervoz dhe ndëshkohet me të verdhë.

Në të dytën, në 56’, vjen goli i Atalantës. Shënon Gosens pas asistit të Barrow. Janë minuta të mira për Atalantën, që mund të kishte shënuar sërish. Gjithsesi, Juventus barazon në 74’ me Higuain.

Bardhezinjtë marrin zemër dhe pas 8 minutash vjen goli i avantazhit. Është sërish Higuain ai që realizon. Në limite ka vend edhe për Dybala, që shënon golin e tretë. Tri pikë me mjaft vlerë për kampionët, ndërsa Atalanta hyn në krizë, pasi nuk fiton prej 4 ndeshjesh.