MENU
klinika

Një psikozë

Secili jeton për mos me jetue n’Shqipni…

30.11.2019 - 19:42

Në librin e tij “Kufiri”, tetovari Latif Ajrullai e përshkruen nji moment nga vizita e tij e parë n’Shqipni në fillim të viteve ’90.

Ashtu qysh çmagjepsja gjithnji manifestohet prej kujtimit të detajeve në retrospektivë, Ajrullai kallxon qysh, teksa e kaluen kufinin, rrugës e panë nji polic të cilin e morën me vete në kerr. Oficeri policor iu kërkoi tetovarëve me i afru me kerr deri te katundi ku banonte. Por kur doli prej kerrit, ai mori me vete edhe setrën e Ajrullait që e kishte lanë në sediljen mrapa. Veç nji luftë verbale bani që polici me heq dorë pej setrës e me u largue sikur nuk kish ndodh kurgja.

Por kjo ishte Shqipnia e përvujtun e viteve ’90 ku varfnia i kish zhvesh njerëzit, përfshi edhe ata me uniformë, prej gjithçkaje.

Nji gjendje poliarkike (nji nivel tjetër i anarkisë) ku mbijetesa nën pasiguri alla-Hobsiane nxjerr në shesh instinktin e kapjes së gjithçkaje.

Sigurisht që nuk qëndrojnë gojët e liga qysh ndihmat humanitare po vjedhen me të madhe në zonat e shafituna prej tërmeti. Asnji vullnetar nga Prishtina nuk konfirmon që ka vjedhje qysh mediat e Buzhalës raportojnë. Problemi paraqitet ndryshe: në nji gjendje me ajër agonie natyrisht që tek-tuk ka edhe desperado të poshtër. Prania e tyne s’âsht shqetësuese sa mungesa e turpshme e shtetit.

E shtetit që i mban në pasiguri njerëzit edhe kur s’ka tërmet. Shtetit që s’ka kapacitete për me u ba dalazotës në gjendje emergjente. Shtetit që nuk di as me i inventarizu ndihmat e mbledhuna, e le ma me i menaxhue ato. Shtetit që i vyen heronj qytetarët vullnetmirë në vend se flamuri i ndihmës me u valëvit prej ushtarit, policit, zjarrfikësit e ekipeve të specializume.

Hajnia e nji grusht desperadosh nuk duhet me u esencializu si natyrë intristike e njerëzve. Mjerimi i shtetit âsht që krejt armata e nëpunësve, zyrtarëve, policëve e mjekëve rrnon me shpresën me ikë prej vendit. Edhe ushtari me uniformë kqyr me ikë, njisoj si edhe zjarrfikësi që e nxjerr nji të mbijetuem nga rrënojat. Edhe infermieri e vozitësi i ambulancës që e bartin të mbijetuemin kqyrin njisoj me u largue prej vendit.

Nji psikozë që angazhimin për çkado e paralizon sepse secili jeton për mos me jetue n’Shqipni…/ Salih Mehmeti

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


A âsht e pafat Shqipnia që i duhen heronjtë?

«Në gjumë ishim, në gjumë vdiqëm»