“Fillimisht të realizojmë Brexit-in dhe më pas të kthejmë faqen e masave shtrënguese”, theksoi kryeministri britanik, Boris Johnson, i cili zbuloi sot planet e tij në rast fitoreje të zgjedhjeve të 12 dhjetorit në Britaninë e Madhe.
Për Boris Johnson, këto zgjedhje, të tretat në katër vite, janë e vetmja zgjidhje për të nxjerrë Britaninë nga ngërçi i Brexit, që ka ndarë vendin që prej votimit të Brexit nga 52% e britanikëve gjatë një referendumi në vitin 2016.
Në përpjekje për të bindur zgjedhësit, ai u premtoi atyre një dhuratë të parakohshme për Krishtlindje nëse rizgjidhet, rikthimin në Parlament që prej muajit të ardhshëm të projektligjit për marrëveshjen e tërheqjes nga Bashkimi Europian që ka negociuar me Brukselin, me objektivin për një Brexit në fund të janar.
“Ndërkohë që familjet po përgatiten të presin gjelat e tyre për Krishtlindje, dëshiroj që ata të përfitojnë nga periudha e festave për t’u çliruar nga drama në dukje pafund e Brexit”, deklaroi ai para prezantimit të programit të tij sot pasdite në West Midlands.
Ky program do të realizojë Brexit-in dhe ne do të na mundësojë të ecim përpara dhe të nxisim potencialin e të gjithë vendit”, shtoi ai.