Fundi i vitit është një kohë për fillime të reja.
Ndërkohë që viti 2019 mbaron, kjo sigurisht që ndodh edhe me Brexit. Pas fitores së kryeministrit britanik Boris Johnson dhe konservatorëve në zgjedhjet e këtij muaji, tani është e qartë se Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga Bashkimi Evropian në 31 Janar 2020.
Shumë njerëzve, përfshirë edhe mua, do t’ju vijë keq. Por gjithashtu do të jetë një mundësi për të krijuar një partneritet të ri midis Mbretërisë së Bashkuar edhe BE. Dhe përveç kësaj, një Brexit “i vështirë” shkatërrues është shmangur.
Në përputhje me dëshirat e veta, Mbretëria e Bashkuar nuk do të marrë më pjesë në institucionet e BE-së që nga 1 shkurti i vitit 2020. Por ajo do të mbetet në tregun e vetëm dhe bashkimin doganor të paktën deri në fund të vitit 2020. Dhe lëvizja e lirë e njerëzve midis BE dhe Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojë.
Por në mungesë të një vendimi nga Mbretëria e Bashkuar para korrikut 2020 për të zgjatur periudhën e tranzicionit, të cilën Johnson e ka përjashtuar, një marrëveshje për marrëdhëniet e ardhshme do të duhet të përfundohet në më pak se 11 muaj.
Meqenëse Viti i Ri po afron, ne duhet të vendosim tre qëllime për vitin e ardhshëm.
Së pari, BE dhe Mbretëria e Bashkuar duhet të sigurojnë që të kemi mjetet për të punuar së bashku dhe për të diskutuar zgjidhje të përbashkëta për sfidat globale.
Mbretëria e Bashkuar mund të largohet nga BE, por nuk po e lë Evropën.
Kjo është arsyeja pse BE do të vazhdojë të angazhohet pozitivisht me Britaninë e Madhe, si në mënyrë bilaterale ashtu edhe në forume globale si Kombet e Bashkuara, Organizata e Tregtisë Botërore dhe G20.
Së dyti, duhet të bashkëpunojmë edhe më shumë lidhur me sigurinë.
Edhe këtu, largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga BE ka pasoja. Bashkëpunimi për sigurinë i lidhur me lëvizjen e lirë të njerëzve. Ajo funksionon sepse kemi rregulla të përbashkëta, mekanizma të përbashkët mbikëqyrje dhe një Gjykatë të Drejtësisë. Për shkak se kemi besim tek njëri-tjetri dhe jemi të sigurt se të drejtat tona themelore janë të mbrojtura, ne jemi në gjendje t’i ndajmë të dhënat gjerësisht dhe të implementojmë zgjidhje të integruara.
E njëjta shkallë e bashkëpunimit thjesht nuk është e mundur me një vend të tretë që është jashtë zonës së Shengenit.
Së treti, deri në këtë kohë vitin e ardhshëm, na duhet një partneritet ekonomik që pasqyron interesat tona të përbashkëta, afërsinë gjeografike dhe ndërvarësinë.
Në “deklaratën politike” të rënë dakord në tetor së bashku me marrëveshjen, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e bëri të qartë se do të ndjekë një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE, dhe hodhi poshtë idenë se ajo do të mbetet në bashkimin doganor të BE. Kjo do të thotë që Mbretëria e Bashkuar dhe BE do të bëhen dy tregje të ndara.
Por çdo marrëveshje e tregtisë së lirë duhet të sigurojë një fushë të barabartë për standardet, ndihmën shtetërore dhe çështjet e taksave.
Këto janë tre qëllimet tona për vitin 2020: të ruajmë një aftësi për të bashkëpunuar ngushtë në nivelin global; të krijojmë një partneritet të fortë sigurie; dhe të negociojmë një marrëveshje të re ekonomike.
Ekipi ynë do të jetë i gatshëm të negociojë në një frymë konstruktive me Mbretërinë e Bashkuar, një vend që gjithmonë do ta vlerësojmë si mik, aleat dhe partner.
Michel Barnier është një ish nënkryetar i Komisionit Evropian dhe Ministër Francez i Punëve të Jashtme. Ai aktualisht është negociatori kryesor i BE për Brexit.
Përkthyer dhe përshtatur nga Project Syndicate/ konica.al