Fillimi i dhjetorit sjell në Kosovë, fotografen e përkushtuar ndaj jetës sociale sidomos të gruas kosovare. Më 5 dhjetor 2019, në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, mbahet ceremonia për çeljen e ekspozitës së fotografes, shkrimtares dhe pedagoges nga Suedia, Ann Christine Eek, titulluar “Albanian Village Life – Isniq, Kosovo 1976” (Jeta shqiptare në fshat – Isniq, Kosovë 1976)
Eek e ka vizituar Kosovën për herë të parë, në vitin 1976, duke qëndruar për gati shtatë javë në fshatin Isniq, bashkë me antropologen Berit Backer (1947-1993). Gjatë këtij qëndrimi dukumentoi përmes mijëra fotografive mënyrën e jetesës së shqiptarëve. me fokus rajonin e Dukagjinit.
Për shkak të qasjes më të kufizuar në botën më të mbyllur të gjinisë mashkullore të asaj kohe, Eek projektin e saj e kishte koncentruar në tregimet e pesë grave të fshatit. Edhe pse Eek nuk fliste shqip, gratë e pranuan pa u shqetësuar nga prania e saj. Kjo marrëdhënie i mundësoi të lëvizte e pavërejtur, të fotografonte gratë gjithnjë duke punuar, në shtëpi apo në bjeshkë, duke pjekur bukë, zier, thurur, endur, duke u kujdesur për fëmijët dhe duke u kujdesur për të lashtat dhe bagëtinë.
Pesëdhjetë fotografitë që do të ekspozohen janë shtypje digjitale të vitit 2019, të realizuara në letrat Hahnemuhle dhe Moab, si dhe shtypje analoge të vitit 1991 në letrat Afga.
E shkolluar për fotografi, me mentor fotografin më të njohur të Skandinavisë, Christer Stromholm, Eek studion, hulumton dhe shkruan, merr pjesë në debate dhe ka shkruar kritikë për ekspozitat e fotografëve tjerë. Ende punon brenda kufijve të teknikës bardhezi, sot me fotoaparat digjital, duke përdorë paletë të së hirtës për të ngjyrosur imazhet e saj në kërkim të shfaqjeve të forta vizuale. Përherë është një kërkim ndjesisë së letrës Baryta, duke zgjedhur letrat që më së shumti i ngjasojnë fotografive analoge, që ajo i donte dikur.
Ekspozita i mirëpret të interesuarit, deri më 13 janar 2020.