Kuvendi po përgatitet të diskutojë në orët e ardhshme të ashtuquajturën “paketë anti-shpifje”, një bashkësi normash të paralajmëruara më shumë se një vit më parë nga kryeministri e që menjëherë përfunduan në shënjestrën e komunitetit ndërkombëtar dhe shoqatave të mediave. Ndërsa vendi është akoma nën tronditjen nga tërmeti që përmbysi jetët e mijëra shqiptarëve, mazhoranca duket e vendosur të përshpejtojë procedurat e miratimit për këtë ligj me përmbajtje ende konfuze dhe të rrezikshme.
I detyruar të pësojë amendamente të vazhdueshme, në përpjekje për ta bërë të përshtashëm me rregullat europiane të demokracisë dhe të lirisë së shtypit, paketa e normave doli e zbutur, por jo për këtë arsye më pak kërcënues. Korrigjimet e bëra në të vërtetë nuk hedhin dritë mbi shumë pika të errëta të mbetura në këtë projekt-ligj që rrezikon të rindezë tensionin politik dhe të shkaktojë një reagim të kuptueshëm të gazetarëve në një moment kur vendi ka nevojë të rigjejë qetësinë.
As deklarata otpimiste e perfaquesit të OSBE për lirinë e medias, Harlem Desire, rinovimi i mandatit të të cilit mund të varet pikërisht nga qeveria shqiptare që do të marrë kryesinë e OSBE-së, nuk ka mjaftuar për ta qetësuar alarmin.
Paketa “anti-shpifje” lindi një vit më parë si një reagim i Edi Ramës ndaj një problemi real. Përdorimi pa dallim i shpifjeve personale si një metodë lufte politike, është bërë një mjet i përhapur (diz)informacioni. Mungesa e profesionalizmit nga shumë gazetarë, politizimi i mediave dhe varfëria e përgjithshme ku veprojnë (varfëria e një medie është armike e pavarësisë së saj) kanë transformuar prej kohësh fenomenin e “shpifjeve” në një emergjencë kombëtare, e përhapur akoma më shumë nga numri i lartë i portaleve online. Mund të numërohen gati një mijë, dhe pjesa më e madhe janë media anonime në duar financiatorësh anonimë që i përdorin si kallashnikov pa matrikull kundër kundërshtarëve. Por ashtu si një armë, edhe shpifja mund të vrasë. Perdorimi i shpifjes si mjet politik ka arritur deri në atë pikë që disa e mbrojnë si një formë e fjalës së lirë, duke mashtruar opinion publik dhe duke u hequr kredibilitet gjithë gazetarëve.
Ndërsa mbarë bota përgatit instrumentat kundër fenomenit të fake news (që në fakt nuk është vetëm një fenomen shqiptar), edhe qeveria mendoi të bënte këtë paketë “anti-shpifje” por që në fund kërcënon të bëjë më shumë dëme nga sa kërkon të shmangë. ‘’Paketa’’ modifikon ligjin “97” të vitit 2013 që ka rregulluar deri tani përmes AMA-s aktivitetin e radiove dhe televizioneve dhe që këtej e tutje do të duhet të merret edhe me portalet online. Paketa i jep AMA-s superfuqi për t’u vënë edhe gjoba (deri 400.000 lekë të reja) portaleve që nuk pranojnë të publikojnë përgënjeshtrime për lajme të konsideruara shpifese nga “viktimat” dhe këto gjoba duhen paguar edhe nëse portali ka bërë ankimim në gjykatë. Madje AMA ka fuqinë të mbyllë një portal nëse refuzon të heqë ‘’brenda 60 minutash’’ një përmbajtje që i përkasin tre argumentat: pornografi infantile, nxitje e terrorizmit dhe kërcënim ndaj sigurisë kombëtare (pika 5/a neni 29 i projektligjit). Përcaktimi “siguri kombëtare” është në të vërtetë shumë i vakët dhe mjafton kjo për të lejuar që ky ligj të transformohet në një mjet abuzimesh të pafundme.
Dobësia e ligjit anti-shpifje konsiston pikërisht në konfuzionin që prodhon. Mes aspekteve të tij kërcënuese një nga nenet parashikon që AMA të ketë fuqinë për të “pezulluar ose hequr licencën” e një medie (pika “1/d” neni 29 i projektligjit). Por meqë për portalet online nuk është parashikuar asnjë liçencë, nga teksti i votuar në komision kuptohet se në të vërtetë një vendim i tillë mund të jetë për radiot dhe televizionet që për herë të parë do të mund të mbyllen me një urdher politik. Një aspekt që e bën këtë ligj ekuivok është pikerisht fakti se autoriteti që merr kompetenca për të vendosur nuk është gjykata por AMA, që pavarësisht ligjit, ka qenë gjithmonë dhe është edhe sot e kësaj dite një organizëm i kushtëzuar nga shumica në pushtet.
Ne kemi duartotrokitur reformën për Drejtësi që do të na dhurojë një drejtësi larg nga politika, por tani drejtësia per median është kthyer në dorë të pushtetarëve.
Paketa anti-shpifje duket që është menduar nga teknicienë që nuk e njohin botën e mediave. Në fakt nuk parashikon asnje detyrim për portalet online që punësojnë gazetarët t’i rregjistrojnë pranë organeve tatimore, mënyra e vetme dhe e tjeshtë për ta nxjerrë nga informaliteti. Dhe nuk parashikon asnjë modifikim në ligjin mbi të drejtat e autorit për të ndaluar fenomenin e copy/paste të lajmeve, mënyra e vetme dhe e tjeshtë për të kufizuar përhapjen e fake news.
Edhe pse për herë të parë mbron të drejtën e një qytetari që cënohet nga shpifja e një media, ky ligj, për nga mënyra se si është hartuar rrezikon të shndërrohet në një mjet të rrezikshëm presioni dhe kontrolli në duart e qeverisë së radhës. Sot është shumica socialiste që e propozon dhe që mund ta përdorë në dëm të gazetarëve. Por neser mund të jetë Partia Demokratike që mund të bëjë të njëjtën gjë, ose çdo forcë tjetër politike që do të arrijë të marrë pushtetin në vend të tyre.
Ja përse Bashkimi Europian këmbëngul për rrugën e vetërregullimit, duke kërkuar që të jenë gazetarët ata që duhet të krijojnë organizma profesionalë dhe të pavarur që të përfaqësojnë mbarë kategorinë dhe të pajisen me rregulla të afta të luftojnë shpifjet dhe gazetarët që i përdorin ato. Organizma që në Shqipëri nuk ekzistojnë akoma: përfaqësia e gazetarëve në fakt edhe sot e kësaj dite i është besuar disa OJF-ve “familjare” pa asnjë transparencë që arrijnë deri të kërcënojnë e të shpifin ndaj gazetarëve që guxojnë t’i vënë në dyshim, dhe mbrojnë apo sulmojnë gazetarë në mënyrë kryesisht selektive Pra, një kaos etik absolut.
E megjithatë nuk duhet të mjaftojë boshllëku i rregullave për të pranuar rregulla të gabuara. Ja përse qeveria duhet ta ngrijë këtë paketë anti-shpifje, të eliminojë kontradiktat që përmban dhe të ridiskutojë përmbajtjen në një klimë më të qetë duke e bërë më të fortë pavarësinë e mediave profesionale, jo ta dobesojë.
Liria e shtypit si çdo liri tjetër mbetet për një kohë të gjatë vetëm një perceptim, i brishtë si një flluskë që fluturon deri kur dikush e prek. Por mjafton vetëm një prekje që ajo flluskë të shpërthejë për t’u shndërruar në shkumë e bezdisshme që të bën pis duart. Vëtëm në këtë moment kuptohet bukuria e lirisë që sapo është humbur. Pra, kur është tepër vonë.
Unë personalisht nuk besoj që qëllimi i këtij ligji është censurimi mediave, por me të njëjtën bindje e them, se dikush, duke përdorur këtë ligj, mund ta bëjë.