MENU
klinika

Si ishte 2019-ta?

Eksportet/ Bie energjia, rriten duhani dhe pijet

22.12.2019 - 11:44

Eksportet shqiptare këtë vit duket se nuk kanë patur ‘performancën’ e tyre më të mirë këtë vit.

Sipas të dhënave zyrtare të tregtisë së jashtme, në Nëntor 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 25 miliardë lekë, duke u ulur me 9.1 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 8.6 %, në krahasim me Tetor 2019.

Ndërsa në njëmbëdhjetëmujorin e vitit 2019 (janar-nëntor) eksportet e mallrave arritën vlerën 277 miliardë lekë, duke u ulur me 4.1 %, krahasuar me një vit më parë.

Ndikimin më të madh negativ në eksporte e kanë grupmallrat minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike, material ndërtimi dhe metale, tekstile dhe këpucë si dhe lëkurë dhe artikujt e tyre.

Por jo të gjitha grupmallrat kanë patur të tillë arritje këtë vit.

Referuar të dhënave të INSTAT, Shqipëria ka eksportuar këtë vit më shumë ushqim,pije e duhan si dhe makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.

Në periudhën janar-nëntor, Shqipëria ka eksportuar rreth 32.5 miliard lekë ushqime, pije dhe duhan duke njohur një rritje me 2.8 miliardë lekë krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Përsa i përket makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit Shqipëria ka eksportuar 19.7 miliardë lekë duke njohur një rritje me 3.1 miliardë lekë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.