“Nuk dua të vdes si një mumje, por duke ëndërruar muzeun e lodrave të fëmijërisë sime”.
Romancier dhe profesor me personalitet të thjeshtë, Nabokov është i pajisur me një kulturë kozmopolite që i lejon të shkruajë si në gjuhën ruse, ashtu edhe në atë angleze. Ai është shndërruar në idhullin e fundvitit. Kureshtar. Lindi në Petërburg 120 vjet më parë, vdiq në Zvicër në 1977, jetoi gati njëzet vjet në Rusi, njëzet në Gjermani (me episode në Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë), njëzet në SHBA dhe po aq në Zvicër, autor i veprave emblematike, enigmatik, i vrerët, i zhveshur nga faktet dhe fama, përveç “Lolita”, një roman kryesisht i keqkuptuar – Vladimir Nabokov, vijon të mbetet zemra e “debatit” letrar./Konica.al
Ishte e padurueshme; e solli artin e romanit në kufijtë marramendës. Njëherë e një kohë, romani ishte sfidë për intelektin, tashmë dekurajohet nga nevoja për të kënaqur, pa i zgjeruar shumë argjinaturat e formës. Gjithsesi botimi i “Mendo, Shkruaj, Fol: Përmbledhje esesh, Recensa, Intervista dhe Letra”, botuar nga Brian Boyd dhe Anastasia Tolstoj, ka elektrizuar shtypin anglishtfolës. Nabokov mbetet gjithmonë i pranishëm, ideatori i labirinteve të kristalta. I pandryshueshëm, i padurueshëm. “Në jetë, Nabokov ishte vazhdimisht i ngathët, madje edhe disi budalla; nuk dinte të ngiste makinën, shkruante me laps në copëza letrash, mbështetej tek e shoqja për hartimin e një kopjeje të lexueshme të romaneve të tij… E megjithatë, në rastin e Nabokovit, ashtu si në rastin e Tolstojit, nuk ka asnjë shenjë që mendimet e autorit të vijnë assesi kundërshtuese nga veprimi i bashkëshortes. Të paktë kanë qenë ata shkrimtarë që janë privuar nga ndikimet ekstra-letrare sa Nabokov. Në epokën kur shkruajti këtë ese Nabokov mbante pseudonimin V. Sirin, kishte botuar “Mbreti, gruaja, këmbësori”, ishte pajisur për të shkruar të magjishmen “Mbrojtja Luzhin”. Në libër, përtej përzgjedhjes së intervistave, shpesh të panjohura, ka disa ese interesante: ato kushtuar Vladislav Chodasevich, Ivan Buninit, Nina Berberova, Hilarie Belloc.
Njeriu dhe gjërat
Titulli i ndërhyrjes time “Njeriu dhe gjërat”, ndoshta mund t’ju ngatërrojë. Për shembull, mund të duket, një homazh ndaj djallit të përgjithësimeve, në fakt me fjalën “njeri” nënkuptoj çdo Homo Sapiens, përfaqësues mirëfilli i njerëzimit. Me “gjëja” mund të mendoni se do të thotë diçka e përcaktuar, në kufijtë e së cilës synoni të lëvizni me lumturi filozofike… Shpresoj të eleminoni çdo keqkuptim. Me “njeri” nënkuptoj vetëm veten time. Me “gjëja” nuk dua të them një kruajtëse dhëmbësh, apo një motor me avull. Gjithçka që prodhohet nga dora e njeriut është një gjë. Ky është përkufizimi i vetëm i përgjithshëm, që i lejoj vetvetes.
Pa njeriun, jo vetëm që nuk ekziston asnjë objekt, por nuk ekziston asnjë objekt që të mos ketë një marrëdhënie të caktuar me një anë të njeriut. Kjo marrëdhënie është e pakapshme. Le të marrim një pikturë: portretin e një gruaje. Dikush e sodit atë me admirimin e ftohtë të një eksperti, analizon ngjyrat, harmoninë, sfondin. Dikush tjetër, një zejtar, me një eksperiencë më komplekse, në të cilën njehson qëndrueshmëri druri, konvergjencë prarimi – përqendrohet me një sy profesional në kornizë etj.
Nabokov nuk i pëlqente Q. dhe A. “Unë mendoj si gjeni, shkruaj si autor i shquar dhe flas si një fëmijë”, – shkruan ai.
Nabokov është Nabokov. Ai përgatit fragmente të shkëlqyera. (“Ëndrra ime do të ishte të kisha gjithnjë një laps të mprehur”.) Ai flet për dashurinë që kishte për fluturat, boksin, futbollin dhe dremitjet e pasdites. Ai mbron “Lolita” kundër kritikuesve të parimeve morale (“Humbert Humbert është zuzar”). Ishte autori që e trajtoi Frojdin, si një “sharlatan vjenez” dhe rrekej të sqaronte se, librat e tij nuk kishin qëllim universal, por vetëm kërkimin për kënaqësinë e autorit, i cili është vështirë të besohet, shkruan Konica.al
Vladimir Vladimirovich Nabokov, i njohur edhe si Vladimir Sirin, ishte romancier, poet, përkthyes dhe entomolog rus dhe amerikan. Nëntë romanet e para u shkruan në gjuhën ruse, mirëpo ai arriti përparësi ndërkombëtare pasi filloi të shkruante në anglisht. Nabokov u bë qytetar amerikan në vitin 1945.
Nabokov mendonte se fjalitë e gjata, me fraza të shumta në parathënie dhe të shkurtra duhet të tingëllonin mirë. Përveç vëmendjes ndaj tingujve dhe ngjyrave, si dhe aspekteve mekanike të të shkruarit, adhuruesit i shijojnë romanet e dala nga dora e autorit, sepse stili i tij shpesh përmban humor. Humori vjen pjesërisht për shkak të llafollogjisë së mprehtë të narratorit, por edhe për shkak të gjuhës që ai përdor.
Vladimir Nabokov kujdesej thellësisht, jo vetëm për atë që shkruante, por edhe për mënyrën sesi e shkruante atë. Çdo tingull dhe pikësim vendosej saktësisht ku mbaronte fjalia gojore/ose humori, duke demonstruar kështu sesa pedant ishte Nabokov. Mënyra e të shkruarit të tij u shndërrua në art më vete./Konica.al