Edhe këtë vit kredia konsumatore nuk zhgënjeu në Shqipëri.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit nëntor, portofoli i kredisë konsumatore arriti vlerën e 50 miliardë lekëve ose afërsisht 406 milionë eurove.
Krahasuar me një vit më parë, kredia konsumatore është zgjeruar me pothuajse 6%. Rritja më e lartë ka ardhur në segmentin e kredisë së mirëfilltë konsumatore, të akorduar për blerjen e mallrave jo të qëndrueshëm.
Në mesin e këtij viti, portofoli i kredisë bankare për këtë qëllim arriti në 31.3 miliardë lekë, me një rritje prej 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kredia për qëllime të mirëfillta konsumi përbën rreth 63% të totalit të kredisë konsumatore për individët.
Pjesa tjetër konsiston në kredi për mallra të qëndrueshëm, që nënkupton huanë që zakonisht jepet për investime të familjeve në pajisje elektronike, elektroshtëpiake mobilje apo automjete.
Ky segment i kredisë konsumatore ka vlerën e afro 19 miliardë lekëve ose rreth 37% të totalit. Analizat e Bankës së Shqipërisë vendosin përtëritjen e konsumit të sektorit privat, si faktori më përcaktues në zgjerimin e prodhimit kombëtar këtë vit.
Për tremujorin e tretë të këtij viti, konsumi privat u rrit me 3.9%, duke shfaqur kontributin më të lartë në rritjen ekonomike qysh prej tremujorit të dytë të vitit 2016.
Rritja e kredisë konsumatore ka qenë një nga faktorët që ka mbështetur zgjerimin e konsumit, së bashku me rritjen e turizimit dhe përmirësimit të tregut të punës.