MENU
klinika

Mesazhet ngushëlluese për ikonën e futbollit

“Kujtimi i Shyqyri Rrelit do mbetet i përjetshëm”

31.12.2019 - 13:24

Sot u ndaj nga jeta një nga ikonat e futbollit dhe qytetarisë tiranase, Shyqyri Rreli. Në stadiumin “Air Albania” u mbajtën homazhe në ndërim të figurës së tij, profesorit të futbollit.

Nga presidenti Ilir Meta dhe kreu i FSHF-së, te klubet e futbollit dhe personalitete të tjera të vendit, ngushëlluan familjarët dhe të afërmit e Rrelit…

MESAZHI I ILIR METËS

“Sot u nda nga jeta një personalitet i jashtëzakonshëm i sportit dhe i futbollit kombëtar Prof.Shyqyri Rreli. E gjithë jeta e tij ishte në shërbim të zhvillimit të sportit e në veçanti futbollit.

Kontributi i tij i gjithanshëm si një futbollist kampion, por edhe si një trajner i arritjeve historike në drejtim të Ekipeve Shpresa në nivelet më të larta ndërkombetare, të Ekipit Kombëtar dhe të ekipit të jashtëzakonshem të Tiranës (17 Nëntori) të viteve ’80, meriton nderim dhe respekt.

Edhe sot kemi emocione kur kujtojmë Ekipet Kombëtare Shpresa që me këtë trajner të madh fitonin kampionatet ballkanike dhe mundnin ekipet më të forta të kontinentit, apo Kombëtaren e jashtëzakonshme që nënshtronte 2 me 0 Belgjiken e Pfafit, Shifos dhe Kulemansit, duke guxuar për t’u kualifikuar në kampionatin botëror të Meksikës.

Ne sot kujtojmë Tiranën (17 Nëntorin) e Prof. Rrelit si një kampione e jashtëzakonshme, por edhe fituese ndaj shumë ekipeve të mëdha në ndeshjet ndërkombëtare.

Sepse profesori dinte të krijonte frymën e ekipit dhe t’i edukonte me ndjenjën e fitores lojtarët e tij duke e ngritur në një stad të ri futbollin tonë në arenën ndërkombëtare.

Kujtimi i tij do të mbetet i përjetshëm sepse arritjet dhe kontributet e tij mbeten historike dhe frymëzuese për të ardhmen. E ndaj sot dhimbjen dhe ngushëllimet më të sinqerta me Familjen Rreli dhe gjithë botën e futbollit dhe sportit shqiptar. U prehtë në paqe shpirti i tij!”

MESAZHI I ARMAND DUKËS

“Të dashur miq të familjes sonë të madhe të futbollit, në këtë mëngjes të fundit të vitit 2019, po ndaj me ju lajmin e trishtë se ish-trajneri i Kombëtares, Shkëndijës dhe Tiranës, Profesor Shyqyri Rreli, është ndarë nga jeta.

Profesor Rreli do të ngelet përherë në memorien time si një nga trajnerët më të sukseshëm shqiptar. Një figurë e madhe e Tiranës dhe Shqipërisë që me urtësinë, qetësinë dhe komunikimin e shkëlqyer fitoi zemrat e të gjithë lojtarëve dhe sportdashësve shqiptar.

E gjithë jeta e tij ishte në shërbim të progresit të futbollit shqiptar, duke qëndruar gjithmonë larg sherreve dhe debateve të kota. Në këtë moment të vështirë për të gjithë ne, për familjen dhe miqtë e tij të shumtë, gjej rastin t’i shpreh familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre më të dashur.

Kujtimet që na ka lënë, do të jenë të paharruara. Prehu në paqe Profesor!”

MESAZHI I KF TIRANA

Klubi i Futbollit Tirana shpreh ngushullimet më të thella familjes Rreli dhe të gjithë komunitetit të sportit për ndarjen nga jeta të një prej ikonave të fubollit shqiptar.

Shyqyri Rreli, ish futbollist dhe ish trajner i Tiranës, si dhe shumë skuadrave në Shqipëri, ka lënë pas një emër të madh me një kontribut të jashtëzakonshem. U prehsh në paqe Profesor!”

MESAZHI I FK PARTIZANI

“Me keqardhje të thellë mësuam sot lajmin e ndarjes nga jeta në moshën 89 vjeçare të një prej figurave më të mëdha të futbollit shqiptar Shyqyri Rreli. Profesor Asoc. Dok Shyqyri Rreli ka qenë ish futbollist i Erzenit, Tiranës, Dinamos dhe ekipit tonë kombëtar.

Me ekipin e Dinamos ai fitoi 4 Tituj Kampion dhe 3 Kupa të Shqipërisë. Shyqyri Rreli spikati edhe si Trajner në drejtimin e ekipit tonë përfaqësues duke rregjistruar mjaft suksese. E paharrueshme fitorja 2- 0 ndaj Belgjikës dhe barazimi 2 – 2 ndaj Polonisë në vitin 1984.

Gjithashtu me përfaqësuesen U-21 u shpall 2 herë kampion i Ballkanit në 1978 dhe 1981.

Njëkohësisht Shyqyri Rreli është vlerësuar me titujt “Mjeshtër i Madh”, “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Trajner Kombëtar”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Legjenda e Futbollit Shqiptar”.

Klubi i Futbollit Partizani i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve, për këtë humbje të madhe të njeriut të tyre më të dashur. U prehsh në paqe Profesor!”

MESAZHI I KOMITETIT OLIMPIK KOMBËTAR SHQIPTAR

“Në këtë ditë të fundit të vitit, një lajm i dhimbshëm na trishtoi në mëngjes duke na lajmëruar për ndarjen nga jeta të mjeshtrit Shyqyri Rreli.

Shyqyri Rreli është nderuar me çmimin “Mjeshtër i Madh”, ndërsa në vitin 2017 ka marr çmimin “Nderi i kombit”.

Si futbollist ai ka dhënë kontribut te Dinamo, Tirana dhe Erzeni. Ndërsa ka një karrierë të pasur edhe si trajner, duke drejtuar kombëtaren shqiptare në periudhën mes viteve 1982-1985 dhe 1988-1989. Gjithashtu ka drejtuar kombëtaret Shpresa, 17 Nëntorin (sot KF Tirana), Teutën dhe Shkumbinin.

Rreli ka regjistruar suksese të rëndësishme me moshat e Kombëtares, duke fituar dy tituj Ballkanikë për të rinj, ndërkohë që me Shqipërinë U21 shkoi nder 8 më të mirat në EURO 1984.

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar iu shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmve e miqve të tij, për humbjen e madhe në komunitetin sportive”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN