MENU
klinika

Masa

Kukësi gjobit rëndë trajnerin Shpëtim Duro

25.12.2019 - 16:11

Kukësi nuk arriti të merrte më shumë se një barazim 1-1 kundër Skënderbeut në “Elbasan Arena”. Verilindorët bënë një paraqitje të mirë duke e mbyllur vitin në vendin e parë megjithatë problemet nuk kanë munguar dhe në takimin e fundit, ka pasur një përplasje të trajnerit Shpëtim Duro me tifozerinë verilindore.

Të paktë në numër, tifozët e Kukësit janë irrituar nga skuadra pasi rezultati ishte 0-1 për Skënderbeun dhe kanë ofenduar futbollistë të ndryshëm.

Kjo ka sjellë reagimin e Duros që ka pasur një konflikt verbal me tifozerinë dhe nuk ka mbaruar me kaq. Në përfundim të ndeshjes, Duro u shpreh në prononcim se “Kukësin e ndjekin pak tifozë dhe ata që e ndjekin, ofendojnë dhe shajnë futbollistët”.

Kaq ka mjaftuar që klubi i Kukësit të marrë masa kundrejt trajnerit. “Euroneës Albania” ka publikuar një faksimile ku bëhet e ditur se trajneri Shpëtim Duro është gjobitur me gjysmën e rrogës për shkak të kësaj sjelljeje.