MENU
klinika

Strategjia e presidentit francez

Për Macron, Rusia nuk është armiku i Evropës…

09.12.2019 - 16:44

Presidenti francez Emmanuel Macron këtë javë përballet me provën e parë të madhe, për sa i përket politikës së tij lidhur me Rusinë, që ka shqetësuar disa aleatë të Evropës, pasi ai pret një samit që kërkon përparim në përfundimin e konfliktit në Ukrainë.

Bashkë me kancelaren gjermane Angela Merkel, Macron do të bashkojë Presidentin rus Vladimir Putin dhe homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky për takimin e tyre të parë ballë për ballë në një samit pasdite në Pallatin Elysee në Paris të hënën.

Nëse në samit nuk do të ketë përparim, kjo do të shihej si një goditje e madhe për shpresat për paqen dhe gjithashtu prestigjin personal të Macronit.

Macron, ka investuar shumë për përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit në lindje të Ukrainës që iu ka marrë jetën 13,000 njerëzve që nga viti 2014.

Rusia do ta kuptojë se është në interesin kombëtar ta shohë Evropën si partnerin e saj strategjik afatgjatë.

“Është një provë e rëndësishme për Macronin dhe evropianët”, tha Michel Duclos, një ish-ambasador dhe bashkëpunëtor i vjetër në Institutin Montaigne.

Macron ka kërkuar të shfaqet më shumë në skenën ndërkombëtare në muajt e fundit, në një kohë kur Merkel përgatitet të largohet.

Mendimet e tij u përmblodhën në një intervistë shpërthyese me The Economist muajin e kaluar, kur ai deklaroi se NATO-s i kishte ngordhur nervi dhe tha se Evropës i duhej të kishte një dialog strategjik me Rusinë.

Macron tha në intervistë se nuk do të dëshironte që Rusia të ishte një “vasal” i Kinës dhe përfundimisht do të duhej të zgjidhte “një projekt partneriteti me Evropën”.

As pas një samiti të liderëve të NATO-s në Angli në fillim të këtij muaji, Macron nuk u pendua për strategjinë e tij.

“Kush është armiku i NATO-s? Rusia nuk është më një armik. Ajo mbetet një kërcënim por gjithashtu është partner në disa fusha. Armiku ynë sot është terrorizmi ndërkombëtar dhe në veçanti terrorizmi islamik”, tha ai.

Konstantin Kalachev, drejtor i Grupit të Ekspertëve Politikë me qendër në Moskë, paralajmëroi “do të ishte naive të mendosh që Emmanuel Macron mund të ushtrojë çdo lloj ndikimi tek Vladimir Putin me qëllim të afrimit të Rusisë me BE”.

“Ka vetëm një person që mund të ndikojë tek Presidenti Putin. Dhe ky është vetë Presidenti Putin.”

Ai shtoi: “Putin nuk ka asnjë interes që ky konflikt ukrainas të përkeqësohet. Por ai dëshiron që çdo zgjidhje të hartohet sipas kushteve të tij”.

Përkthyer dhe përshtatur nga France24/ konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Disa çështje ende të pambyllura

Çfarë e pengon marrëdhënien Francë-Rusi?

Në prag të samitit të G7

Çfarë pritet nga takimi Macron-Putin?