MENU
klinika

Një baba vrasës pendohet...

“Përjetësisht fëmijë” vlerësohet në Spanjë

20.12.2019 - 14:11

       Një baba autoritar, aksidentalisht vrasës, rreket të kërkojë falje nga i biri që nuk jeton më…

   Festivali që mbylli siparin mbrëmjen e djeshme – Four Seasons Film Festival – përzgjodhi filmin me metrazh të shkurtër “Përjetësisht Fëmijë”, si realizimin më të mirë fiktiv. Me skenar dhe regji nga Lorena Sopi, filmi u shpall si fitues i kësaj kategorie në festivalin që u zhvillua në Barcelonë, Spanjë.

Filmi “Përjetësisht Fëmijë” trajton raportin e rrënuar familjar, mes një babai autoritar dhe fëmijës të tij të mitur. Moni dhjetëvjeçar, jeton me të atin, Xhemën, në varfëri të skajshme. Gjatë një dreke fatale, i ati vret aksidentalisht të birin, Monin.  Gjatë gjithë jetës së tij, Xhema do të ndjejë peshën e mallkimit, duke mbajtur mbi vete fajin për atë që ka ndodhur.

Në ditët e tij të fundit, në moshë të shtyrë, Xhema kthehet në shtëpinë ku ka ndodhur vrasja, për të kërkuar falje nga djali i tij i vdekur, me shpresë se do të lirojë shpirtin nga pesha e fajit dhe do të pushojë i qetë në jetën e përtejme.

Në rolin kryesor, interpreton aktori i njohur Xhevat Qorraj, ndërsa në rolin e vogëlushit, Miran Zymberaj. Në rolet e tjera, luajnë: Sheqerije Buqaj, Beslidhe Bytyqi, Kosovare Hoti, Joni Thimi, etj.

Dejtori i fotografisë është Latif Hasolli. Kompozitor – Naim Krasniqi. Montazhier – Nexhmi Mehmeti. Kostumografe – Samka Ferri. Mjeshtër zëri – Gëzim Rama. Skenograf – Uran Duli.

“Përjetësisht fëmijë” ka qenë konkurrues në më shumë se 40 festivale të ndryshme ndërkombëtare dhe deri më tani, ka fituar 15 çmime kinematografike, si: Accolade Global Film Competition – La Jola, USA 2017 – Award of Merit, Wendy’s Short Film Festival – Austin, USA 2107 – Best Drama Short, Texas Short Film Festival – San Diego, USA 2017 – Best Foreign Short, Bangalore International Film Festival – Bangalore, India 2017 – Special Jury Prize, Gold Movie Aëards – London, UK 2017 – Best Short Film, Hellfire Film Festival – Kent, UK 2017 – Best Short Film, Pink City International Film Festival – Jaipur, India 2017 – Best Director, Montecatini International Short Film Festival – Montecatini etj.