MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 16

Tri humbje rresht për Partizanin, shkëputet Kukësi

18.12.2019 - 14:56

Janë luajtur 4 ndeshje të javës 16 të Kategorisë Superiore në futboll. Partizani është mposhtur përsëri, kësaj radhe nga Teuta në Durrës me rezultatin 1-0.

Një ndeshje shumë e luftuar në “Niko Dovana”, teksa vendosur goli i Kallakur në 44’ të pjesës së parë. Në 64’, Cordeiro dhe Beqja konfrontohen në fushë dhe ndëshkohen me të kuq. Po me të kuq largohen edhe Duka dhe Boldor, të cilët ishin në stol kur u ndëshkuan.

Në fund Teuta mbetet me 9 lojtarë, pasi del me të kuq edhe Shkalla. Një humbje që djeg shumë për Partizanin, që nga kreu që ishte dy javë më parë, tashmë precipiton në vendin e katërt dhe nëse Tirana fiton ndaj Flamurtarit, e arrin.

Ka përfituar Kukësi, që mposht 2-1 Vllazninë brenda në “Loro Boriçi”. Roca shënoi në 9’, ndërsa Shkurtaj dyfishoi në 51’. Për vendasit ngushtoi Krymi në 74’.

Një fitore që e mban Kukësin në vendin e parë dhe shkëputet nga rivalë si Partizani apo Laçi. Ndërsa Vllaznia humb një pozicion dhe ndodhet në vendin e gjashtë.

Ndeshja tjetër direkte mes Bylisit dhe Laçit ka përfunduar 1-0, me gol të shënuar nga Goxha në 80’. Tri pikë të vyera për ballshiotët që ngjiten të dytët.

Luftëtari merr fitoren e dytë sezonale, teksa në shtëpi ka mundur 2-0 Skënderbeun. Një sukses që hap një fije shpresë për gjirokastritët, ndërsa korçarët duket se kanë hyrë në krizë. Lika shënoi nga një gol për secilën pjesë.