Për 100-vjetorin e Kongresit të Lushnjës (1920-2020), Biblioteka Kombëtare risjell në vëmendjen e publikut, ditët e fundit përmes një ekspozite me koleksione nga fondi i arkivës, të kësaj ngjarjeje të rëndësishme të historisë së Shqipërisë./Konica.al
Koleksionet e rralla, si gazeta “Albania”, “Fletorja Zyrtare”, si edhe botime, albume dhe studime të tilla, si: “Kongresi i Lushnjës (21 janar – 31 janar 1920); “Qeveria e Kongresit të Lushnjës dhe veprimtaria e saj”, “Këshilli Kombëtar 1920”, “Kongresi i Lushnjës dhe lufta e Vlorës”, Qarkoret e Ministrisë së Punëve të Brendshme, etj., i gjeni të ekspozuara në ambientet e Bibliotekës Kombëtare.
Kongresi i Lushnjës u çel zyrtarisht, më 21 janar 1920, ndërsa punimet i zhvilloi nga 28 deri më 31 janar 1920. Është një nga kuvendet kombëtare më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.
Qëllimi i mbajtjes së Kongresit të Lushnjës ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbja e shtetit shqiptar dhe sigurimi i pavarësisë së tij. Në të morën pjesë rreth 50 përfaqësues nga pjesa më e madhe e krahinave të shtetit shqiptar.
Kongresi i Lushnjës mori vendime të rëndësishme politike. Ai hodhi poshtë planet e Konfencës së Paqes në Paris dhe u shpreh për mbrojtjen me çdo kusht të tërësisë dhe të pavarësisë së plotë të shtetit shqiptar, në kufijtë e vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913.
Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues, ku ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Kongresi zgjodhi organet më të larta të shtetit shqiptar, si: Këshillin e Lartë të përbërë nga katër vetë, që do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit deri sa të caktohej forma përfundimtare e regjimit. U krijua Këshilli Kombëtar i përbërë nga 37 përfaqësues, që do të kryente funksionet e parlamentit shqiptar.
Me shumicë votash, Kongresi i Lushnjës rrëzoi Qeverinë e Durrësit, duke zgjedhur një qeveri të re kombëtare, nën drejtimin e Sulejman Delvinës.