MENU
klinika

Liga Ballkanike

Peja përmbys Vllazninë brenda në Shkodër

15.01.2020 - 11:41

Vllaznia në basketboll për meshkuj nuk ia ka dalë të mundë Pejën në ndeshjen e radhes të Ligës Ballkanike. Ndaj ekipit kosovar është mundur me rezultatin 87-91.

Ndeshja është luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, ku kuqeblutë synonin fitoren, që do të ishte e dyta për ta në këtë kompeticion.

Takimi nisi mirë për ekipin shkodran që shënon katër pikët e para, por më pas është Peja e udhëhequr nga lojtari i saj më i mirë Dardan Berisha, ajo që përmbys shifrat në 4-11.

Megjithatë, perioda e parë do të mbyllej 20-19 për Vllazninë. Edhe e dyta nis mirë për vendasit dhe udhëheqin deri në gjysmën e saj, por më pas reagon ekipi kosovar, që e kthen rezultatin në favorin e tij dhe shkon në pushimin e ndeshjes në udhëheqje me rezultatin 49-44.

Kjo epërsi do të ruhej pothuajse e tillë deri në fund. Peja e mbylli periodën e tretë 69-64 dhe krejt ndeshjen me shifrat 91-87.

Kjo ndeshje shënoi edhe debutimin me Vllazninë të trajnerit Vujaçiç, por edhe të basketbollistit malazez Kushovac. Vllaznia do ta luajë ndeshjen e radhës më 23 janar ndaj Rahovecit, në fushën e këtij të fundit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN