MENU
klinika

“Mjeshtri i Aix”

Piktori ka dy gjëra: syrin dhe trurin

30.01.2020 - 16:47

      Aix-en-Provence dhe Pol Cezani janë të lidhur në përjetësi. Është e pamundur të vizitosh këtë qytet provincial kuintesencë pa hasur në gjurmët e trashëgimisë së piktorit të madh. Ke dëshirë të vizitosh muzetë, studion në “Les Lauves” ku ai punoi, shtëpinë e familjes Jas de Bouffan dhe peizazhet që e frymëzuan etj. I pagëzuar “Mjeshtër i Aix”, lexuesi i apasionuar i Homerit dhe i Virgjilit e kapte shpejt me sy bukurinë antike të kësaj natyre, ai rikujtonte të kaluarën e saj romake dhe ajo ia përfytyronte truallin klasik të Greqisë./Konica.al

Në peizazhin e bombarduar nga drita, piktori merrte frymë lirisht. Ai u ra kryq e tërthor atyre anëve bashkë me shokët e tij Emil Zola dhe Babtistin Baille. Kjo treshe e pandarë ndërmori pikniqe të gjata, e pajisur me grepa e kallama, sende gjuetie dhe nëpër xhepa ndonjë vëllim vjershash të Hygoit ose Mysetit. Kështu Sezani e jetoi natyrën me të gjitha shqisat e tij, ai u la në ujrat e saj, u shtri mbi bar nën pemët e saj, thithi aromën dehëse të bimëve dhe piu verën e vreshtave të saj. Mbi të gjitha është intensiteti i ngjyrës, tonet e kundërta dhe loja e dritës, që është aq tërheqëse dhe është ndoshta lidhja më e qëndrueshme midis qytetit të sotëm dhe piktorit të shekullit XIX.

Të shumtë janë ata që e mendojnë Sezanin si një impresionist. Në të vërtetë, megjithëse pikturoi gjatë së njëjtës periudhë, ai u kritikua në ekspozita dhe nuk u pranua kurrë nga piktorët kryesorë impresionistë të ditës së tij. Përfundimisht, me mbështetjen e mikut dhe mentorit të tij, Kamij Pisaro, ai zhvilloi stilin e tij unik, i cili u bë i famshëm dhe u kërkua shumë drejt fundit të jetës së tij. Shpesh i portretizuar si një vetmitar, mizantrop dhe i pakënaqur, Sezan kishte bërë një premtim, plotësisht të vetëdijshëm për misionin e lartë që i kishte caktuar vetes: “Unë ju kam borxh të vërtetën në pikturë dhe do t’ju tregoj”. Vepra e tij ka zënë vendin e duhur në histori dhe sot është shumë e vështirë të hamendësohet se sa guximtare pat qenë dikur ajo vepër me tipare origjinale dhe sa fort të nxiste për kontradiksion. Atje vërejmë marrëdhëniet e tij të thella dhe të komplikuara ndaj traditës. Po ta shohësh me kujdes, Sezani qëndron në udhëkryqin e zhvillimit historik, ku natyralizmi i prejardhur nga epoka e Rilindjes (dhe i zhvilluar nga ana e impresionistëve deri në konsekuencat më kulminante dhe të njëanshme) arrin fundin e rrugëtimit, ndërsa tendencat antinatyraliste degëzohen në të gjitha drejtimet.

Vepra e Sezanit mbart patosin barok, por edhe dëshirën për një harmoni klasike, ajo i qëndron pranë si rrymës romantike, ashtu dhe asaj realiste në artin e shekullit të 19-të. Koloristët dhe plastikët, arkitektët dhe dramatikët e formës – Verone dhe Karavaxhio, Rubens dhe Pusin, Le Nain dhe Greko, Delakrua dhe Kurbe, po ashtu dhe Domie, mund të përmenden si paraardhës dhe mësues të tij. Piktura e tij kundërshton çdo interpretim, që kërkon ta reduktojë në një formulë të thjeshtë. Ajo mbron origjinalitetin e saj krijues edhe në kulmin e përpjekjeve për një stil mbipersonal. Vepra e Sezanit është fytyra e vërtetë ose maska ideale e personalitetit të tij. Në krahasim me veprën, fati njerëzor i artistit del, si të thuash, në plan të dytë, ai fat duket varfanjak, thuajse tepër i zakonshëm kur vihet përkrah monumentit që ka lënë pas. Jeta e tij nuk karakterizohet nga ngjarje të mëdha e të bujshme, që mund t’i falnin zbukurimin e jashtëm. Ai kishte jetën e një njeriu që mendonte se ekzistenca të kallte tmerrin. Ishte jeta tragjike e një të vetmuari, vetmi të cilën e mbushte dhe e kompensonte me piktura. Ishte jeta e një burri të turpshëm, tepër të prekshëm, tmerrësisht sensibël dhe, nga ana tjetër, këmbëngulës e i paepur, i cili përpiqej që qënien e thyeshme njerëzore ta armatoste me formën e fortë, t’i bëhej mbështetje dhe të ngrihej mbi të me anë të veprës artistike që synonte tek absolutja, shkruan Konica.al. Një jetë e dhënë pas artit dhe e shtrydhur nga veprat, por pikërisht për këtë arsye ajo nuk mund të shihet veçmas veprave të tij. Krijimet e para të Sezanit kanë një karakter dominues patetik, qoftë kur paraqet ato vizione dhe qoftë kur merret me gjëra të tjera për t’ua mishëruar dinamikën e tij të brendshme e personale. Por me kalimin e kohës konstatojmë një tendencë për kufizimin e dinamikës së shprehjes dhe ndër portretet, peisazhet, natyr-mortet gjenden fillimet e thjeshtësisë së mëvonshme të krijimeve të tij. Kudo fillon të dallohet kolorizimi i tij i theksuar, para së gjithash në ngjyrat intensive dhe kontrastet e forta, megjithëse akoma ai kolorizim mposhtet prej së zezës dhe ndrydhet prej konturave. Përsa i përket idesë së ngjyrave, tek Sezani dominon substanca e ngjeshur e pikturimit dhe halli i tij më i dashur mbetet për shumë kohë spatola, të cilën e përdor me energji dhe mund të thuash dhe me kryeneçësi të çmendur, prandaj është çudi, kur një akademik thirri i tmerruar kur pa një provë të pikturës së tij: “Kjo qenka pikturuar vetëm me thikë, por edhe me kobure!”. Mirëpo, kjo teknikë e ashpër dalëngadalë i lëshon vendin punës më fine me penela dhe njëkohësisht në krijimet e Sezanit duken nuanca më të çelta e të diferencuara.

Sensibiliteti i ngjyrave dëshmojnë një ndjenjë të pashlyeshme, janë kundërpeshë e intelektuales, abstraktes dhe gjeometrikës që takojmë në artin e tij. Vetë ai shprehet: “Piktori ka dy gjëra: syrin dhe trurin. Të dyja duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin, na duhet të punojmë për zhvillimin e të dyve, por në kuptimin e të pikturuarit: për zhvillimin e syrit të përdorim kundrimin e natyrës, për atë të trurit – logjikën e kapjeve të organizuara me anë të shqisave, që dalin nga mjetet e shprehjes”. Sezani është sigurisht një piktor i pashoq, por njëkohësisht është edhe arkitekt, i cili kërkon që një element aq të ndryshëm e të përkohshëm, siç është boja, ta bëjë material rezistent për ndërtim godinash./Konica.al

 

Për më shumë lajme vizitoni: www.konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vepra shfaqet pas 20 vjetësh

“Dora Maar” e dashur dhe muzë e Pikasos


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit