Pas kthimit nga Ukraina si drejtues i Presidencës së OSBE-së, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama sot po zhvillon një vizitë zyrtare në Itali, ku do të takohet me homologun Giuseppe Conte.
Besohet se në këtë takim do të diskutohet çelja e negociatave me shpresën se liderët e BE-së do të marrin një vendim në pranverë dhe pika tjetër lidhet me konferencën e donatorëve që do të mbahet në shkurt.
“Kryeministri Giuseppe Conte, e enjte 23 janar, do të takohet në orën 10.30 me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama“, shkruhet në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave të Italisë.
Kjo është hera e tretë që Rama dhe Conte takohen në pak muaj. Vizita e Contes në Shqipëri në tetor u pasua nga e kryeministrit Rama në Itali, po vitin e kaluar, ndërsa sot do të kenë një tjetër takim në Romë.