Duket se Google, tani i sheh gati të gjitha zonat e planetit tonë.
Në postimin e bërë në një blog, Google Earth ka bërë të ditur se mbulon 98 për qind të hapësirës tokësore, derisa ka të regjistruara rreth 17 milionë kilometra rrugë në Street View, transmeton Telegrafi.
Sikur të vendosen këto në perspektivë, me këto regjistrime rrugësh mund të mbështillet bota për 400 herë, ndërsa përdoruesve iu mundësohet të hulumtojnë në mbi 57 milionë kilometra katrorë të imazheve satelitore, që do të thotë vërtetë shumë.
“Derisa këto pamje, na tregojnë për pjesë të botës që vështirë mund t’i vizitojmë ndonjëherë, Google Earth ofron mundësin e regjistrimit të pamjeve të ndryshme të kësaj bote, që gjithnjë po ndryshon”, thuhet në blog.
Megjithëse duke e thjeshtë, procesi i regjistrimit të këtyre pamjeve është mjaftë i vështirë dhe ato realizohen me makinat e Street View, por në disa terrene duhet të shfrytëzohen makinat që lëvizin me shirita si tanket.
Kur edhe këto makina janë të padobishme, kamerat vendosen në biçikleta, në helmeta ushtarësh, mbi dele, apo edhe deve.
Që të marrin sa më shumë pamje për Google Earth, hulumtuesit kanë punuar edhe në zona ku nuk ka harta, që e kanë bërë të pamundur që të regjistrohet e gjithë sipërfaqja e këtij planeti.