MENU
klinika

Zbardhet axhenda

Anti-Shpifja/ ‘Venecia’ vjen të hënën në Tiranë

09.02.2020 - 14:32

Këtë të hënë, paketa Anti-shpifje sjell në Tiranë Delegacionin e Komisionit të Venecias. Ky delegacion me mision fakt-mbledhës do të zhvillojë një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të politikës, por edhe me përfaqësues të Autoritet të Medias Audiovizive, në një periudhë prej tre ditësh, për të mbledhur fakte dhe mendime në lidhje me një prej çështjeve më të diskutuara në vend gjatë muajve të fundit.

Axhenda e këtij delegacioni ditën e hënë do të nisë me një takim me kryeparlamentarin Gramoz Ruci e më pas me kryetarët e grupeve parlamentare në Kuvend. Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias do të zhvillojnë takime edhe me përfaqësues nga Këshilli i Ministrave.

Me presidentin Ilir Meta, i cili kundërshtoi dhe më pas dekretoi kthimin e kësaj pakete në Kuvend, delegacioni do të takohet ditën e martë, në ambientet e Presidencës,e më pas me kryetaren në detyrë të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha ,kreun e AKEP-it dhe me avokaten e Popullit Erinda Ballanca.

Paketa Anti-shpfije u dërgua në “Venecia” nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe OSBE, ndërsa mazhoranca bëri “një hap pas”, duke mos e votuar një prej projektligjeve në Kuvend pa marrë parasysh opinioni e Komisionit të Venecias.

Paka Anti-shpifje është kundërshtuar nga komuniteti i gazetarëve në vend, të cilët kanë dalë edhe në një protestë duke e cilësuar si një censurë të lirisë së shprehjes, por mazhoranca nga ana e saj kërkon që të ketë ndryshime në ligj, në mënyrë që jo kushdo të ketë mundësi të shpifë për këdo, pa pasur asnjë fakt.