Refugjatët në Turqi janë drejtuar për tek kufijtë evropianë të premten, pasi një zyrtar turk deklaroi se kufijtë janë hapur, në përgjigje të përshkallëzimit të luftës në Siri.
Të enjten, 33 ushtarë turq u vranë nga forcat qeveritare siriane, të mbështetura nga Rusia.
“Kemi marrë vendim, i cili hyn në fuqi menjëherë, që të mos i ndalojmë refugjatët sirianë nga shkuarja në Evropë, qoftë përmes tokës ose detit”, tha një zyrtar i lartë turk për agjencinë e lajmeve Reuters.
“Të gjithë refugjatët, përfshirë sirianët, mund të kalojnë në Bashkimin Evropian”, tha zyrtari turk në kushte anonimiteti. Reuters raporton se, brenda orësh, qindra migrantë janë nisur drejt kufijve evropianë. “Kemi dëgjuar për (hapje të kufijve) në televizion”, tha Sahin Nebizade, migrante afgane.
Greqia dhe Bullgaria thanë se i kanë forcuar kontrollet në kufij menjëherë.
Megjithatë, BE-ja dhe Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë thanë se raportet për çdo ndryshim të gjendjes në kufij janë ende jozyrtare dhe se Ankaraja nuk ka bërë ndonjë njoftim zyrtar. Turqia, në vitin 2016, ka nënshkruar një marrëveshje me Bashkimin Evropian për të penguar rrjedhën e migrantëve, të ikur kryesisht nga konfliktet në Lindjen e Mesme, në vendet e BE-së.
Një vit më herët, më 2015, Evropa është përballur me krizën më të madhe me migrantë që nga Lufta e Dytë Botërore, pasi mbi një milion sirianë kanë hyrë në kontinent.
Ndërkohë, forcat e armatosura të Turqisë (TSK) pas sulmit të kryer nga forcat e regjimit në Idlib, kanë goditur gjatë gjithë natës elementet e regjimit të Asadit.
Sipas informacioneve nga burimet e sigurisë, mësohet se momentet e goditjes nga ajri dhe artileri ndaj objektivave të regjimit janë filmuar nga mjetet ajrore pa pilot (dronët). Në këto pamje vërehen momentet e goditjes ndaj autokolonave me mjete të blinduara që i përkasin regjimit, elementëve në lëvizje, bazat dhe qendrat që përdoren për armatime nga regjimi.
“Janë neutralizuar 5 helikopterë, 23 tanke, 23 artileri dhe obusë, nga një sistem mbrojtës ajror SA-17 dhe SA-22 si dhe 309 ushtarë të regjimit”. “Pavarësisht se vendet ku gjenden njësitet tona janë koordinuar paraprakisht me zyrtarët e Rusisë në terren, ka ndodhur ky sulm”, tha ministri Akar, raporton AA-ja.
Akari u shpreh se krahas paralajmërimeve pas sulmeve të para, regjimi sirian vazhdoi sulmet vdekjeprurëse, madje duke synuar edhe ambulancat. Ai gjithashtu tha se pavarësisht se vendet ku gjenden njësitë turke ishin koordinuar paraprakisht me zyrtarët e Rusisë në terren, ka ndodhur ky sulm. “Asnjë grup i armatosur nuk ishte rreth trupave turke gjatë sulmit vdekjeprurës të regjimit të Asadit”.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, me kërkesë të Turqisë, deklaroi do të ketë një takim urgjent pas vrasjes së 33 trupave turke në Siri. “Sot, Këshillli i NATO mblidhet me kërkesën e Turqisë për t’u konsultuar në bazë të nenit 4 të themelimit të Traktatit të Ushingtonit për situatën në Siri”, shkruan Stoltenberg.
Fillimisht u raportua për 27 të pajetë, po Rahmi Dogan, u shpreh se numri i të vdekurve u rrit pasi disa nga ushtarët nuk i mbijetuan plagëve të marra.
Në shtator të vitit 2018, Turqia dhe Rusia ranë dakord ta shndërrojnë Idlibin në një zonë deeskalimi në të cilën aktet e agresionit janë të ndaluara. Megjithatë, më shumë se 1.300 civilë janë vrarë nga sulmet e regjimit dhe forcave ruse pasi armëpushimi ka vazhduar të shkelet. Zona e deeskalimit aktualisht është shtëpi e katër milionë civilëve, përfshirë qindra mijëra të zhvendosur në vitet e fundit nga forcat e regjimit në të gjithë vendin.
Më shumë se 1,7 milion sirianë janë zhvendosur afër kufirit turk si pasojë e sulmeve intensive. Që nga shpërthimi i luftës së përgjakshme civile në Siri në vitin 2011, Turqia ka pranuar rreth 3,7 milionë sirianë që ikën nga vendi i tyre, duke e bërë atë vendin me më shumë refugjatë në botë.