Katër raste janë testuar në Shqipëri si të dyshuar me koronavirus, por fatmirësisht kanë rezultuar negativ. Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se në vendin tonë nuk ka asnjë rast të prekur me koronavirus dhe rreziku për depërtimin e virusit në Shqipëri mbetet i ulët.
Ministria e Shëndetësisë ka ngritur dhoma të posaçme në çdo pikë kufitare, për monitorimin e rasteve te dyshuara si masë parandaluese e përhapjes së virusit ‘vrasës’. Për çdo rast të dyshuar ndiqet një procedurë e posaçme dhe brenda 24 orëve bëhet transporti i tyre nga Urgjenca Mjekësore Kombëtare.
Në Spitalin Infektiv në QSUT janë ngritur dhomat e izolimit të cilat janë pajisura me mjetet përkatëse që nga pjesa e aparateve respiratore të monitorimit edhe sistemin e gazrave mjekësor, si dhe mjetet personale mbrojtëse. Gjithashtu janë marrë masat në Institutin e Shëndetit Publik për furnizimin me kite reagentë për kryerjen e analizës së koronaviruseve.
Në lidhje me organizmin e Karantinës Ministria e Shëndetësisë njofton se do të kryhet nëse do të jetë e nevojshme.
Koronavirusi ka shënuar deri tani 565 të vdekur dhe mbi 28 mijë të infektuar në të gjithë botën dhe shfaqet me simptomat e një gripi të thjeshtë si kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje.