Shkrimtari dhe poeti me famë ndërkombëtare, romani i vetëm i të cilit “Doktor Zhivago” u shndërrua në qendër të një skandali politik, që përfshiu shërbimet sekrete perëndimore, si dhe u përkthye në 29 gjuhë dhe u shit në miliona kopje./Konica.al
Boris Leonidoviç Pasternaku lindi më 10 shkurt 1890, në një familje intelektualësh dhe vdiq në vitin 1960. Ishte i biri i një artisti të talentuar, piktori që ilustronte punët e Tolstoit, ndërsa e ëma një pianiste shumë e njohur. Edukimi i tij filloi në një gjimnaz gjerman dhe, më pas, do të vazhdonte një nga universitetet më të njohura në Moskë. Prindërit mendonin se Pasternaku do të bëhej muzikant i njohur, por pasi studioi kompozim në konservator dhe pas studimeve universitare në filologji, Pasternak u diplomua për filozofi në Universitetin e Moskës. Filloi të shkruante në vitin 1914, me një përmbledhje poezish, të cilat e bënë të njohur për publikun sovjetik. Libri i parë u botua në vitin 1922: “Jeta e motrës sime”, roman interesant do të binte në sy të kritikës, e cila do ta quante atë një nga shkrimtarët më bashkëkohorë të kohës, në Rusinë e atyre viteve. Pikërisht gjatë asaj kohe, i ati do t’i shkruante poetit të njohur, Rilke, ku do t’i shprehej për talentin e djalit të tij të vetëm. Poeti gjerman do të lexonte me vëmendje krijimet e djaloshit që po tërhiqte vëmendjen e rusëve, duke u shprehur se sheh një shkrimtar të ardhshëm. Pas sagës së “Doktor Zhivago” fshihet një autor dhe poet i mrekullueshëm, i censuruar nga sovjetikët dhe i persekutuar nga Stalini. Romani “Doktor Zhivago” do t’i sillte çimin “Nobel” për Letërsi në 1958. Megjithatë, Pastërnakut iu desh ta refuzonte vlerësimin, për shkak të protestave që shpërthyen në vendin e tij. Romani u ndalua në Bashkimin Sovjetik, kurse Pastërnaku u përjashtua nga Bashkimi i Shkrimtarëve Sovjetikë. Në telegramin e refuzimit Pastërnaku shprehet: “Duke pasur parasysh që ky çmim i është dhënë shoqërinë së cilës unë i përkas, më duhet ta refuzoj këtë çmim të pamerituar, i cili më është paraqitur. Ju lutem, mos e merrni refuzimin tim të vullnetshëm si fyerje”.
Në epokën sovjetike, rusët e konsideruan atë si një nga poetët e tyre më të mëdhenj. Edhe kur vargjet e tij dukeshin profetike ose kur origjinaliteti i imazheve të tij i shpërqendronte, “veshi” nuk i mashtronte kurrë. Në perëndim, përveç disa të pasionuarve të poezisë – dhe ata që kujtonin përshtypjen e fortë që ai bëri si anëtar i delegacionit sovjetik dërguar në Paris në Kongresin e Shkrimtarëve kundër Fashizmit (Qershor 1935), fama e tij ishte – dhe është akoma – e lidhur me një libër të vetëm: “Doktor Zhivago”, një roman i shkëlqyer për një kohë të gjatë për rusët./Konica.al
Po ashtu, Pastërnak nuk do të ishte një burrë i qetë në dashuri. Pasionet për letërsinë do të ngacmonin xhelozinë e grave që jetonin pranë tij. Martesa e parë do ishte me Evgjenia Vladimirovna Lourie në vitin 1922, nga e cila do të lindte një djalë dhe do zgjaste nëntë vjet. Më pas, martohet me Zinaida Nikolaevna Neigauz. Për shkrimtarin, martesa ishte diçka pozitive për një burrë që e kishte kohën e limituar për të punuar. Nuk kishte shumë kohë të mendonte për punët e familjes, ndërsa e pranonte se nuk mund të jetonte vetëm, pa ndier erën e një gruaje në apartamentin e tij. Gjatë gjithë jetës, shkrimtari fliste vetëm për libra të rinj. Edhe atëherë kur mësoi se vuante nga kanceri, nuk foli asnjëherë për sëmundjen, por tregonte subjektin e novelës së tij të re. Vdiq më 30 maj të vitit 1960. Çmimin “Nobel” të të atit, në ceremoninë që u bë në Stokholm në vitin 1989, e mori i biri dhe tha vetëm një fjali: “Pastërnak e donte Rusinë”.
ËNDËRR
M’u shtir vjeshta me qelqet dritëpakë,
Ti me miq në hoka e kuvende,
Dhe si fajkua, që qiejsh gjuan gjak
Zbriti zemra në pëllëmbën tënde.
Por kalon koha, tek plaket dhe tretet,
Serm të zi korniza shtron prej zorit,
Agu prej nga kopshti zbulon qelqet
Me lotët e përgjakur të shtatorit.
Por iku ajo kohë, u plak. Si akull
Mëndafsh’ i kolltukëve u brejt anash
Dhe ty, zëri t’u bor e befas heshte,
U mek ëndrra ime si jeh kambanash.
U zgjova. Ag’ i errët, si ditë vjeshte,
Dhe era merr në karro me gjithsej
Shiun ikanak prej fijesh kashte
Kreshtat e mështeknave nëpër qiej.
TË DUASH TË TJERËT
Të duash të tjerët është një kryq i rëndë,
por pa dredha ti je e bukur
e fshehta e paqartësisë sate
është i barabartë me të kuptuarit e jetës.
Në pranverë dëgjohet shushurima e ëndrrave
dhe pëshpëritja e së vërtetës dhe lajmeve.
Je nga një familje me parime të tilla
Ndjenja jote është altruiste si ajri.
Është e lehtë të zgjohesh e të shohësh qartë,
Të zbrazësh zemrën prej mbeturinave verbale
dhe të jetosh pa ndotjen për të ardhmen.
E gjithë kjo s’është shkathtësi e madhe.
Në Bashkimin Sovjetik çmimi “Nobel” solli një fushatë sharjesh. Pastërnak u përjashtua nga Unioni i Shkrimtarëve Sovjetikë dhe u privua nga mënyrat e jetesës. Takimet publike kërkonin dëbimin e tij; ai i shkroi Kryeministri Nikita S. Hrushovi: “Lënia e atdheut, për mua do të jetë e barabartë me vdekjen”. Duke vuajtur nga kanceri dhe problemet me zemrën, vitet e fundit të jetës i kaloi në shtëpinë e tij në Peredelkino. Në vitin 1990, 30 vjet pas vdekjes, shtëpia në të cilën ai kishte jetuar u kthye në muze. Në vitin 1987, Unioni i Shkrimtarëve Sovjetikë e riktheu pas vdekjes Pastërnakun, një veprim që i dha veprave të tij një legjitimitet që i kishin munguar në Bashkimin Sovjetik./Konica.al