MENU
klinika

Veliaj: Po përgatisim një ligj...

Përkujtohet në Lushnje 100-vjetori i Tiranës kryeqytet

04.02.2020 - 14:58

Nga Lushnja, aty ku 100 vjet më parë mbajti punimet Kongresi i Lushnjes, u përkujtua sot shpallja e Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, çka shënoi edhe çeljen e aktiviteteve festive që do të na shoqërojnë përgjatë gjithë vitit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Zv. Kryeministri Erjon Braçe, kryetari i Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe, deputetë të zonës dhe drejtues vendorë, nderuan dhe vlerësuan familjet që, në ato vite jo të lehta për vendin, dhanë kontributin e tyre që Tirana të jetë sot qyteti që përfaqëson shqiptarët.Në fjalën përshëndetëse, kryebashkiaku Veliaj tha se vendimet e rëndësishme që u morën në Kongresin e Lushnjes përcaktuan fatet e vendit.

“Ishin ditë, orë, pse jo edhe minuta, që vunë në provë ata baballarë të kombit tonë, që morën një vendim jo në një sallë moderne me poltrona, por në kushte jashtëzakonisht të vështira betejash, në dallim nga vendimet që do të duhet të marrim sot, ku shpesh herë pengesat ia bëjmë vetë njëri-tjetrit. Ishte shpirti i atyre burrave dhe dashuria për Shqipërinë për t’i dhënë zgjidhje një problemi kardinal për vendin. Në fakt, Tirana kryeqytet ishte një ide e vjetër që nga Rilindja. Në këtë karvan, që përbëhej nga rreth 100 burra me qeverinë, Këshillin e Lartë dhe Këshillin Kombëtar, bashkë me ata që e shoqëronin, një forcë madhore i çoi në Tiranë atë ditë shkurti, që morën udhë pikërisht nga Lushnja e madhe e atyre ditëve. Sot, pas një shekulli, ne si Tiranë i jemi pa fund mirënjohës Lushnjes dhe Kongresit të saj, të cilët na dhanë kryeqytetin që sot mbush 100 vjeç”, deklaroi Veliaj.

Ai shtoi se Tirana në këtë 100-vjetor është gati të ketë një ligj të sajin, si çdo kryeqytet i rëndësishëm.

“Jemi duke përgatitur një ligj për Tiranën, si çdo kryeqytet i rëndësishëm që ka një ligj të tillë. Ndaj, mezi pres që deputetët e asaj zone, që e bënë Tiranën kryeqytet, do të jenë edhe përkrahësit e Tiranës me një ligj për kryeqytetin. Një ligj që bëhet për herë të parë në histori e që për koinçidencë merr udhë pas 100 vjetësh nga shpallja kryeqytet. Ky do jetë një ligj që do ta bëjë Tiranën më të mirë, më europiane, më moderne, ashtu si Londra e Parisi, që e kanë një ligj të ngjashëm. Mezi pres gjithashtu që ta kthejmë këtë vit në një moment historik, për të treguar se nuk kemi ardhur nga hiçi, për të treguar ku i kemi rrënjët dhe për të kuptuar sesa të lidhura i kemi fatet me njëri-tjetrin”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se ky 100-vjetor është edhe një moment për të reflektuar, pasi koha ka treguar se kur shqiptarët bëhen bashkë, mund të marrin vendime shumë të rëndësishme.

kolana e librave

“Tërmeti i fundit na tregoi se ka më shumë gjëra që na bashkojmë sesa na ndajnë. Na tregoi se kur jemi të bashkuar mund të marrim vendime shumë të rëndësishme. Sot jemi ende peng i vendimmarrjeve të vonuara. Ky 100-vjetor është një moment për të reflektuar. A mund të punojmë më shpejt në 100 vitet që vijnë? A mund të duhemi më shumë në 100 vitet që vijnë? A mund të jemi më bashkëpunues? A mund të themi më shumë: “Bravo të qoftë, jam krenar për ty”, sesa stërkëmbësha e thika pas shpine në 100 vitet që vijnë?”, tha ai, duke nënvizuar se është koha për të treguar se përtej dallimeve politike, është Shqipëria. “A mund të kuptojmë se përtej PS-së dhe PD-së, përtej bindjeve tona, është Shqipëria, është vendi, është familja jonë, kjo tokë ku kemi hedhur rrënjët dhe ku duam të shohim të ardhmen. A mundet që në 100 vitet e tjera të rikuperojmë kohën e humbur në këto 100 vite?”, nënvizoi Veliaj.

Zv. Kryeministri Erjon Braçe tha se mesazhet e Kongresit të Lushnjës janë aktuale edhe sot. Duke vlerësuar organizimin e kësaj ceremonie festive nga ana e Bashkisë së Tiranës, Braçe theksoi se në këtë vit jubilar Shqipëria meriton hapjen e negociatave me BE-në.

“Mesazhi që erdhi nga Lushnja është mesazhi i bashkimit. Në atë Kongres u hodhën bazat e demokracisë, të zgjedhjeve, të Parlamentit të dalë prej tyre. Këto ia vlen të kujtohen si një reflektim i thellë për të gjithë ne që merremi me politikë, për të gjithë ne që kemi para përgjegjësinë e fortë të korrigjimit edhe të vendimeve të gabuara, por dhe të bashkimit të gjithnjë e më tepër të popullit shqiptar, një Shqipëri të fortë. Meritojmë të na kthehet pas borxhi i 100 viteve të shkuara, të na jepet statusi i vendit kandidat, të hapen negociatat dhe Shqipëria të shkojë përpara drejt BE-së. Jam shumë i kënaqur dhe shumë i nderuar që kryetari i Bashkisë së Tiranës vendosi të jetë këtu në Lushnjë për të përkujtuar jo thjesht shpalljen e Tiranës kryeqytet 100 vite më parë, por për t’i dhënë nderin dhe respektin që meriton Lushnja”, theksoi Braçe.

Deputeti i Lushnjës, Bashkim Fino, gjatë fjalës së tij, tha se është i krenar për udhëtimin drejt datës 11 shkurt, që është 100-vjetori i Tiranës kryeqytet.

“Duhet të jemi krenarë, sikur edhe ne vetë jemi pjesë e kryeqytetit. Prandaj, jam shumë i gëzuar që të gjithë bashkë fillojmë rrugëtimin e ardhjes deri në 11 shkurt, të ditës simbolike të kryeqytetit tonë, të Tiranës”, u shpreh Fino. Kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe tha se falë atij vendimi të rëndësishëm të marrë një shekull më parë, sot vendi ynë është i bashkuar dhe Lushnja dhe Tirana celebrojnë bashkë këtë përvjetor.

Në shenjë mirënjohje për kontributin e luajtur në ato vite të vështira për fatin e kombit tonë, kryebashkiaku Veliaj shpërndau medalje dhe certifikata mirënjohje pasardhësve të familjeve që kontribuan në shpalljen e Tiranës kryeqytet.