MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 23

Vllaznia shkatërron Luftëtarin, Laçi nuk fal në Vlorë

22.02.2020 - 16:07

Kategoria Superiore ka vijuar me dy ndeshje në mesditën e sotme. Vllaznia ka fituar thellë 4-0 në Shkodër ndaj Luftëtarit, ndërsa Laçi ka mposhtur 3-1 Flamurtarin në Vlorë.

Në Vlorë, takimin e ka bërë më të lehtë Nuabueze, që e ka gjetur vetë golin, duke kaluar tre mbrojtësit kundërshtar dhe duke e dërguar sferën në rrjetë. Për të kaluar më pas me dopietën e Xhixhës, që ka shënuar në minutat e 23’ dhe 55’.

Ndërsa goli i nderit për vlonjatët erdhi nga ana e Ribajt, që ka shërbyer vetëm për të ngushtuar rezultatin dhe statistikat. Pas këtyre tri pikëve të marra, Laçi afrohet më tepër me Europën, duke shkuar në vendin e katërt dhe duke iu afruar Partizanit me 2 pikë.

Vllaznia nuk e diskutoi për asnjë moment fitoren. Ishte Sidorenko që kaloi të tijtë në avantazh, teksa në minutën e 14’, pas një pasimi perfekt të marrë nga Ramadani, ia doli të mposhtë portierin e Luftëtarit, duke i dhënë avantazhin ekipit të tij. 

Pjesa e dytë foli e gjitha për shkodranët, të cilët realizuan edhe 3 herë të tjera, duke shkërmoqur të drejtuarit e Çoçllit. Ishte Junior që shënoi në minutën e 69’, duke i dhënë qetësinë ekipit të tij. Ishte përsëri i njëjti lojtar që u bë protagonist në minutën e 71’, duke dërguar një top në zonë, i cili u dërgua gabimisht nga Kukaj në portën e tij.

Junior konfirmoi edhe njëherë formën e mirë që po kalon, teksa në minutën e 81’ shënoi edhe golin e 4-t për ekipin e tij dhe dopietë në aspektin personal.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN