Ndërpriten puniumet restauruese në kishën e Shën Nikollës në Porto Palermo, Himarë. Gjatë verifikimit në terren, raportohet të jenë konstatuar zbulime arkelologjike.
Instituti Kombëtar i Kulturës Kombëtare bën me dije, se “si pasojë e gjetjeve u pezulluan punimet, deri në një vendim nga ana e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale”.
Në Porto Palermo gjendet kisha e Shën Nikollës, më parë e ndodhur në zonën e Kalasë. Ali Pasha, siç dihet, kishte një adhurim të veçantë për kultet e krishtere dhe prandaj e ndërtoi kishën që prishi, pak më tej. Ishte viti 1818, kur Pashai i Janinës, ishte në kulmin e sundimit të vet dhe ai kishte pushtet absolut. Himara, ishte krahina që ai kishte për zemër dhe kjo kështjellë – dhuratë për Vasiliqinë, – që, sipas historianëve e donte shumë, do të përbënte edhe një simbol domethënës.
Por, sikur tregojnë të moshuarit në Himarë, ndërtimi i kishës ishte edhe pjesë e marrëveshjes së Pashait me “kapitanët” e Himarës, bashkë me atë të ndërtimit të kështjellës.
Me këtë marrëveshjeje, lundërtarët himariotë do të shfrytëzonin falas limanin që ndodhej pranë kështjellës për anijet e tyre, ndërkohë që do të kishin edhe një objekt kulti më shumë, për t’u falur.
Po ashtu, Ali Pasha, përveçse i kushtonte një objekt kulti si dhuratë, zonjës së vet, vendoste marrëdhënie mjaft të mira me himariotët në kuadrin e realizimit të objektivave të tij.