MENU
klinika

Kush ishte poeti i magjepsur?

“Avokati i sekreteve të botës tjetër”

05.03.2020 - 16:30

      Shtatëdhjetë vjet më parë ndërroi jetë një nga personalitetet letrare amerikane më vendimtare dhe më të mprehtë të shekullit të njëzet: Edgar Lee Masters, ai që mori veset dhe mëkatet e banorëve të një qyteti të Illinois dhe i shndërroi në poezi të sinqerta./Konica.al

Më 23 gusht 1869, lindi në Kansas “avokati i magjepsur nga poezia”, shkrimtari i vetëm i një libri të jashtëzakonshëm, një autor, siç shprehet Mario Praz i cili i përket pjesës së madhe të letërsisë. Kemi të bëjmë me Edgar Lee Masters, fëmijëria dhe rritja e të cilit shënohen nga realiteti i fshatit dhe fshatarëve të vegjël amerikanë, një djalosh që për të blerë librat e tij transportonte qymyr dhe bënte gazetashitësin rrugëve të Amerikës. Një jetë midis detyrës së avokatit dhe thirrjes pasionante për poezinë e shtyn atë të mbledhë sa më shumë imazhe, sugjerime dhe histori të vendeve ku jeton, për t’i shndërruar mandej në prodhimin e tij të larmishëm dhe jouniform. Kritikët dhe koha i dhanë Masters vlerësimin absolut për kryeveprën: “Antologjia e Spoon River-it”, shkruar duke sjellë ndërmend kujtimet e viteve që jetoi në Lewiston, duke treguar peizazhin teksa kalon përreth qytetit dhe varrezave të Oak Hill, të shoqëruara nga zëri i butë i lumit Spoon.

Në moshën dyzetepesë vjeçare Edgar shkroi poezitë e tij më të famshme, midis majit 1914 dhe ditëve të para të vitit pasardhës, i cili pas një viti pa botimin e vëllimit me dyqind e trembëdhjetë epitafe. Elmeri i dobët, Bert kllouni, Ela zemërbutë, Kate shpirtbardha, xhaxhai i moshuar Isak dhe tezja Emily, ndër të tjera, flenë në kodër dhe rimarrin zë në fjalët që autori u ka vënë në gojë, kaq karakterizuese, kaq njerëzore, kaq të drejtpërdrejta dhe të sinqerta.

Minerva Jones, poetesha e fshatit, një alter ego e vetë autorit, u qesëndis dhe u fishkëllua nga padija që e rrethonte, viktimë e egërsisë dhe agonisë. Prehet në kodër George Grey, i cili na mëson se një jetë e mbuluar nga frika dhe pa kuptim është sinonim i torturës…

Ato që përshkruhen nga poezitë e Edgar Lee Masters janë ekzistenca të paplota, të ndërprera, të mposhtura nga mizoria ose fati, të ngecur midis lëmshave të kokolepsur që krijohen në fillin e jetës. Ekziston gjithë dëshpërimi dhe vetmia e një njerëzimi të vështirë, të lënë pas dore, të injoruar dhe të heshtur nga një komunitet i respektuar dhe fanatik amerikan, i pamësuar me pranimin e kërkesës për ndihmë nga i fundit, një i çmendur apo kurvë. Nuk është rastësi që Fabrizio De André u frymëzua nga këto krijime për albumin e vitit 1971 “Jo parasë, jo dashurisë, as parajsës”, duke dhënë melodi për rrëfimet e papenduara të nëntë personazheve të përzgjedhur. Jeta e Edgar Lee Masters është ajo e një avokati që takon dhe kap poezinë, e zbut atë dhe fut në një antologji sa më shumë jetë dhe vdekje, të karakterizuara nga dhimbje të mprehta dhe trishtime të ëmbla, nga çaste që ia vlen një ekzistencë dhe nga keqardhje të mëdha, aspektet e një prizmi njerëzor që ndryshon faqe ashtu siç ndryshon dita. Vepra e mëpasme nuk njohu të njëjtin fat sa kjo kryevepër e pashlyeshme që përqendrohet në brishtësi dhe gabim, ves dhe mëkat, vdekje, së fundmi, rilindje, hakmarrje, pushim.

Edgar, juristi-poet, fle në kodër, i njëjti që riktheu në kujtesë veprimet e mira dhe të këqija të banorëve të Lewiston, edhe ai me keqardhjet dhe sekretet e tij për t’u parë midis linjave të atyre historive të ndërthurura dhe të mbështjella në atë folezë emocionesh purgatori që e bëjnë të papërsëritshëm atë yll historik që është “Antologjia e Spoon River-it”./Konica.al

Botuar në 1916, “Spoon River” justifikoi autorin e tij, avokatin nga Çikago, Edgar Lee Masters, të krahasohej me Walt Whitman ose Ezra Pound. Një lavdërim që përshëndeti një koleksion të padëgjuar në formën dhe përmbajtjen e tij. Në të vërtetë, ne ndjekim, në gati 242 pjesë poetike me gjatësi dhe tone të ndryshme, dëshmitë e gjithë të vdekurve të varrosur në varrezat e “Spoon River”, i cili nuk është më, atje, një lumë Illinois i dukshëm në hartë, por një fshat imagjinar. Të vdekurit dëshmojnë, flasin, këndojnë, shfaqen, duke dëshmuar se çfarë kanë qenë jeta e tyre, jetë shpesh të shënuara nga vuajtjet, të shënuara nga padrejtësia, të mbyllura nga vdekje të dhunshme, atentate ose aksidente. Një monument me lirikë të egër dhe elokuencë të errët, midis gjendjeve të dëshpëruara dhe lutjeve funebre.

Edgar Lee Masters autori i 40 librave me poezi dhe prozë, kujtohet më së miri për koleksionin e tij të shkëlqyer “Antologjia e Spoon River-it” (1915), një sekuencë me mbi 200 epitafe me vargje, zëra që vijnë nga nëndheu i varrezave të qytetit Spoon River. Është vlerësuar me çmimin “Memorial Shelley”, një grant nga Akademia Amerikane e Arteve dhe Letrave dhe Akademia e Poetëve Amerikanë./Konica.al

Për më shumë, vizitoni: www.konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Agolli, poeti i tokës, njeriut dhe... vdekjes.

“Ç’t’i bësh! S’më rrihet pa shkrepur një varg”