MENU
klinika

Artisti "provincial"

Frymëzimi i teatrit dhe kinemasë franceze

10.03.2020 - 11:32

Dramaturg, regjisor, romancier, memorialist, por edhe producent filmi dhe sipërmarrës i vërtetë, karriera e Marcel Pagnol ka qenë e shumëfishtë, kurse krijimtaria tejet e larmishme. Djali i një mësimdhënësi marsejez, Marcel Pagnol (1895-1974) njohu suksesin si dramaturg, kineast dhe shkrimtar. Njëherazi, ishte një prodhues energjik, një kampion i suksesshëm i kinemasë franceze kundër rivalit të Hollivudit dhe një portretist shumë i dashur i Marsejës dhe Provansës rurale. Edhe në ditët e sotme emri i tij vijon të mbetet mishërim frymëzimi./Konica.al

Marcel Pagnol lindi në 1895 në Aubagne, jo larg Marsejës. Në jetën e tij pati një marrëdhënie të trefishtë me shkollën: djali i një mësuesi, nxënës i Republikës së Tretë, e filloi karrierën e tij si mësues në shkollën e mesme. Kur vdiq në Paris në 1974, ai ishte një akademik, i pasur dhe i mbuluar me nderime.

I apasionuar për klasikët, ai përktheu “Bukolikët” e Virgjilit, çka e lejoi të saktësonte gjuhën e tij. Në të vërtetë, në fillim të karrierës u përpoq ta fshihte origjinën e tij, të emancipohej nga Marseja: “Në fillim, ai përpiqej të shkëputej nga ai imazh i Marsejës, provincial, krahinor”, – shprehet studiuesja Hélène Rivière./Konica.al

Megjithatë, Pagnol nuk duhet të minimizohet në rajonalizmin e tij, sepse më pas do të rikthehet në vendlindje, me një idealizim të caktuar të kujtimeve të fëmijërisë dhe të së kaluarës. Në të vërtetë, megjithëse i apasionuar pas përparimit teknik (magjepsje që do ta bëjë atë një pionier të kinemasë së folur), ai gjithmonë do të bashkëjetojë me një lloj melankolie. Marcel Pagnol i bënte njerëzit të qeshnin. Më pas, mallëngjehej. Është e pamundur të dyshosh se nuk ekziston një lidhje e ngushtë midis këtyre dy lloj emocionesh. Nga teatri në kinema, pastaj tek kujtimet e fëmijërisë, ai diti të ruante vazhdimësinë në ton. E pandryshueshme mbeti natyrshmëria, spontaniteti. Vlen të theksojmë se këto cilësi nuk ishin të lindura, përkundrazi ishin ushqyer nga klasikët, iu desh mund e punë për t’i përvetësuar ato. Ai hoqi dorë nga tragjedia për komedinë dramatike, duke pranuar kështu se mund të shkruante edhe prozë. Edhe pse zhanri i romanit nuk është ai që Pagnol trajtoi me lumturinë më të madhe, sërish “Uji i kodrave” gjen një nga temat e thella të vendlindjes. Kjo dashuri për vendin vihet re edhe në “Kujtme fëmijërie”, ku shoqërohet me ndërrime të kujtesës.

Po ashtu: “Lavdia e tim eti” është një punë e jashtëzakonshme, ku Marcel Pagnol ngjall figurën e babait mësues, i cili kishte një kulturë të gjerë, dinte të bashkohej me natyrën dhe kishte një ndërgjegje të lartë morale. Fëmija ishte aq i mahnitur, kur e ndiqte përmes djerrave të mëngjesit. Në Bastide Neuve, Marcel Pagnol përjetoi lumturi me ata që e rrethonin, sepse atje ishte nëna e tij, gjithë mirësi, xha Jules, që spikaste për mendjmadhësi të pashembullt. Këto qenie të vërteta, ai i donte, por ndërsa u larguan me kalimin e kohës, ato u shndërruan në personazhe. Romancieri e lë të lirë imagjinatën e tij, ai është në një farë mënyre i lirë. “Po të kisha qenë piktor, do të kisha bërë vetëm portrete”, – shprehet Pagnol. Personazhet e gjurmuara nga fëmijëria e tij mbeten mrekullisht të gjalla. Ka shkruar vepra të shumta, ndër të tjera:  “Lavdia e tim eti”, “Gruaja e bukëpjekësit”, “Kështjella e nënës sime”, “Mariusi”, “Topazi”, “Koha e sekreteve”, “Kohë për dashuri”  etj./Konica.al

Për më shumë, vizitoni: www.konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit