MENU
klinika

TKOB çelet me "La Boheme"

Këngëtarët e balerinët rikthehen në shtëpi

05.03.2020 - 16:58

Artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit kanë nisur provat pas tre vitesh, në “shtëpinë” e tyre të rikonstruktuar. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit prej dy javësh gumëzhin nga lëvizjet e artistëve. Trupa artistike pas tre vitesh rikthehet në shtëpinë e rikonstruktuar edhe ka nisur provat për dy veprat e radhës që do të shohin dritën e skenës, opera “La Boheme” e Puçinit dhe baleti “Carmina Burana” i Youri Vamos-it me muzikë të Carl Orff. Gjatë provave të “La boheme” në sallën e orkestrës që do të dirigjohet nga artisti italian Jacopo Sipari, një nga violonçelistët që prej 40 vitesh është pjesë e këtij institucioni, Kujtim Vorpsi na rrëfen emocionet e para në ‘shtëpinë’ e restauruar.

“Salla është shumë më e mirë, se ajo që kemi pasur. Unë jam prej 40 vitesh në opera si violonçelist. Në pjesën e dytë të karrierës në opera kam qenë violonçel i parë i orkestrës, një impenjim që kërkon përgjegjshmëri edhe ambicie për ta realizuar”, – ka thënë për mediet, Vorpsi, violonçelist. “Pas rikonstruksionit të operës, edhe orkestra ka nevojë për një investim tek instrumentet. Orkestrat profesioniste në botë unifikojnë edhe markat, violinistët luajnë me marka cilësore për unifikimin e timbreve dhe të instrumenteve”, – tha ai.

Ndërsa, trupa e baletit nën drejtimin e koreografes Manjola Hasani, është duke bërë prova për baletin “Carmina Burana”. Por, përpos gëzimit që u rikthyen në shtëpinë e tyre, balerinët tregojnë se ata kanë hasur vështirësitë e para.

 

“Carmina Burana është shfaqja e radhës. Ndihemi mirë se jemi aty ku duhet të jemi. Kjo është shtëpia jonë e vërtetë, megjithë disa problematika që janë ende dhe duhet që të rehabilitohen. Për shembull sektori ynë ka problematikë dyshemenë ku kërcejmë, është më e fortë se parametrat që duhet”, – shprehet balerina Rovena Shqevi , e cila është pjesë e këtij institucioni prej 25 vitesh.

Ndërsa balerini Eltion Merja, i cili ka rreth 12 vite që është pjesë e trupës së baletit, e konsideron një emocion të madh rikthimin në shtëpinë e rikonstruktuar.

“Në shtëpi ndihesh shumë mirë, kur ambientet që gjen janë thuajse të reja. Akoma nuk ka përfunduar çdo gjë, sepse disa gjera të tjera duhet që të plotësohen”, shprehet Merja.

Opera “La Boheme” ngjitet në Pallatin e Kongreseve nga data 13 mars, ndërsa baleti “Carmina Burana”, në skenën e ArTurbinës, më 19 dhe 20 mars.

Për më shumë, vizitoni: www.konica.al