MENU
klinika

“Shqetësimi im ishte për njerëzit që kisha takuar”

Meta tregon pse iu nënshtrua testit për COVID-19

25.03.2020 - 21:33

Presidenti i Republikës Ilir Meta në News24 ka folur për eksperiencën personale me koronavirusin dhe kontaktin që e detyroi të bënte testin që më pas rezultoi negativ. Teksa u ngacmua nga Balla për qetësinë që reflekton edhe pas mesazheve të kryeministrit, Kreu i Shtetit tha se është detyra e tij të jetë më i qetë se kushdo tjetër në këtë situatë.

“Absolutisht që i ndjek mesazhet e të gjithëve, përfshirë të kryeministrit dhe tuajat por është detyra ime të jem më i qetë se kushdo tjetër në këtë situatë duke jetuar çdo sekondë me shqetësimet e qytetarëve në vend. Jam i sigurt që do ta menaxhojmë të gjithë në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Presidenti.

Sa i përket testimit të tij për COVID-19, Meta tha se i gjithë meraku i tij vinte për faktin se kishte pasur kontakte me ministren e Shëndetësisë, kreun e urgjencës Kombëtare, task forcën por edhe personelin e tij.

“Isha në një palestër me një të njohur, një qytetar, një mikun tim që kishte rezultuar më pas me koronavirus.

Absolutisht jemi të barabartë të gjithë para këtij virusi. Përderisa zuri Princin e Monakos apo Paolo Maldinin me gjithë djalin të gjithë jemi të prekshëm. Kur personi që kisha pasur kontakt rezultoi pozitiv, unë isha në atë moment duke ikur për të dhuruar gjak. Ndalova, njoftova qendrën që nuk do të shkoja, kërkova përfaqësuesit e shëndetit publik për të bërë testin dhe shkoi shumë mirë. Shqetësimi im i vetëm ishte sepse kisha pasur në zyrë ministren e shëndetësisë, z. Brataj. Shqetësimi im i vetëm ishte se nëse isha prekur mund tua kisha transmetuar sepse ua kisha dhënë dorën bashkëpunëtorëve dhe personelit. Ishte një test për merak por nuk është absolutisht turp të prekesh nga ky virus. Secili që ka një shqetësim apo dyshim duhet ta bëjë testin për të ruajtur shëndetin e tij, të familjes”, deklaroi Meta. Sa i përket vendit të përcaktuar në Durrës për karantinë, ai tha se ishte me të gjitha standardet, madje duke ftuar dhe gazetarët në fund të kësaj gjendjeje për të kaluar një fundjavë.

“Ishte një vend ku mezi po pres të përfundojë ky proces dhe do iu ftoja shumë prej juve gazetarëve që të kalojmë një fundjavë pasi kushtet ishin të mrekullueshme. higjiena, standardet, personeli”.