MENU
klinika

Deklarata e klubit spanjoll

“Na rezulton 35% e ekipit me virusin Covid-19”

16.03.2020 - 23:33

Tashmë virusi Covid-19 ka prekur edhe futbollistë, trajnerë dhe pjesëtarë të stafeve të klubeve të futbollit, thuajse në të gjitha kampionatet kryesore në Europë. Klubi i Valencias është aktualisht më i godituri në botë nga koronavirusi dhe këtë e konfirmon edhe vetë deklarata e fundit që ka dalë nga spanjollët.

Sipas tyre, aktualisht është 35% e ekipit që ka rezultuar pozitiv në testimin që është bërë sot, duke përfshirë këtu edhe pjesëtarë të stafit teknik. Gjatë këtyre ditëve u mësua se futbollistët Garay, Mangala dhe Gaya, zyrtari Paco Camarasa dhe mjeku i ekipit Julian Aliaga, kishin rezultuar të gjithë pozitiv.

Por tashmë klubi bën të ditur se virusi është përhapur ndjeshëm edhe mes të tjerëve. “Në të gjitha rastet janë asimptomatikë dhe gjenden në shtëpitë e tyre të ndjekur nga stafi mjekësor në rregullat e izolimit, ndërsa realizojnë si normalisht planin e tyre stërvitor”, – shkruhet në komunikatën e Valencias.

Klubi spanjoll fajëson vizitën në Itali të skuadrës për ndeshjen e parë të Ligës së Kampioneve ndaj Atalantës, duel i cili u luajt në “San Siro” të Milanos, qytet që është në mes të zonës më të goditur nga coronavirusi në Itali.

“Pavarësisht masave të ndërmarra nga klubi pasi zhvilloi takimin e 19 shkurtit në Ligën e Kampioneve në Milano, zonë e konfirmuar me rrezik të lartë pak ditë më vonë nga autoritetet italiane, duke distancuar ekipin nga stafi dhe nga publiku, rezultatet e fundit të testeve tregojnë se ekspozimi i lojtarëve gjatë ndeshjeve ka provokuar që rreth 35% e tyre të jenë pozitiv”, – konfirmoi klubi i Valencia-s.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN